AktualitetPolitikëTë fundit

Shkel masave antikovid; Rama thirrje Bashës: Frenohu nga dhënia e shfaqjeve absurde me karvanin e fitores imagjinare

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe opozitës të frenohen nga dhënia e shfaqjeve absurde, ndërsa theksoi se, “të mos ushqehet me iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta do marrë ndonjë votë më shumë, është komplet absurde dhe realisht dëm i madh”.

Në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve për deputetë të qarkut të Fierit, Kryeministri Rama theksoi se, “i bëj thirrje publikisht Lulzim Bashës dhe opozitës të frenohen nga dhënia e  shfaqjeve absurde që janë jo vetëm zhdëmtuese, çedukuese, të pamoralshme në këtë fushëbetejë ku populli është i gjithi i interesuar, sepse virusi nuk njeh të majtë e të djathtë, asnjë nga ato dallime që janë dallime të jetës sonë të përditshme, po godet nga të katër anët njerëzit e dashur në familjet shqiptare”.

“Nga ana tjetër të mos ushqehet me iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta do marrë ndonjë votë më shumë është komplet absurde dhe realisht dëm i madh. Ndërkohë që paralelisht me vaksinimin, rregullat duhet të respektohen dhe çdokush duhet të shtrëngojë veten në raport me ato masa që janë të thjeshta, por nuk duhen shkelur”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “ne kemi preferuar që ta shtrëngojmë ekonominë, mundësinë për punë të gjithë njerëzve, por kjo nuk do të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, të jetës së përditshme në situata që faktikisht bëjnë të kundërtën e vaksinës dhe të përpjekjes së përbashkët”.

Kryeministri Rama u shpreh se, “po bëhet një shfaqje tani më rutinë shkelja e rregullave, inskenimi i një spontaniteti që vetëm spontaniteti nuk është duke mbledhur njerëz ngjitur me njëri-tjetrin për të përshëndetur karvanin e fitores imagjinare të atyre që, pasi e humbën çdo shans në të shkuarën, të cilin populli ua dha për të drejtuar vendin, kërkojnë shans të ri që nuk kanë për ta marrë. Nuk kanë për ta marrë, sepse shqiptarët në shumicën dërrmuese të tyre nuk duan më të eksperimentojnë rikthimin e PD-së në pushtet dhe të çfarë PD-je, të një PD-je që është sot më e përfaqësuar nga skuadra më e keqe, më e dobët, nga skuadra më absurde e 30 vjetëve”.

“Është për të ardhur keq që sfida e sfidave, më e madhe se fushata elektorale, sesa zgjedhjet, sesa të gjitha partitë të mbledhura së bashku që është sfida e kapërcimit të hendekut të pahapur sot një vit me hyrjen në Shqipëri të armikut të padukshëm, po sabotohet, përçmohet, pengohet në përpjekjen e përbashkët për ta fituar nga thjesht e vetëm interesi politik i një pale që ka përfaqësuar, përfaqëson dhe do të përfaqësojë pakicën”, – theksoi Rama.

Ne, vijoi Rama, duhet ta këpusim sa më shumë zinxhirin e infektimeve.

“Kjo është arsyeja pse vazhdojmë intensivisht përpjekjen për të për të garantuar një sasi të konsiderueshme vaksinash që të shtrihemi në të gjithë territorin me objektivin shumë ambicioz, por jo të pamundur, që përmes një vaksinimi masiv të lehtësojmë ndjeshëm sezonin turistik, të rrisim ndjeshëm shkallën e imunizimit, të mbrojmë gjyshërit e gjyshet tanë, pastaj të gjithë të tjerët”, – shtoi Rama.

Kryeministri Rama tha se, “vaksinimi i të gjithë bluzave të bardha që është kryer në injektimin e dozës së parë dhe ka filluar injektimi i dozës së dytë, vaksinimi i të gjithë mësuesve që ka filluar në të gjithë qarqet e Shqipërisë, vaksinimi i mëtejshëm i atyre që janë në kontakt pune intensive me qytetarët, forcave tona të sigurisë, është një proces që nuk do të ndalet”.

Më tej Kryeministri Rama tha se, “besoj që ne duhet të marrim një vendim shumë të qartë të gjithë bashkë, ne e kemi marrë si PS, por duhet ta marrim të gjithë nëse është nevoja për të zgjeruar më shumë sesa një numër shumë i kufizuar njerëzish të grumbulluar së bashku, këtë nevojë ta adresojmë së bashku dhe duke iu drejtuar autoriteteve. Nuk më takon mua e nuk na takon ne ta bëjmë të vetëm këtë gjë, pasi ne nuk e kemi problem, mund të të shkojmë deri në 25 prill me 10 veta në çdo aktivitet, na mjafton të mbajmë distancat. Nëse është e nevojshme do ti drejtohemi autoriteteve, sepse nuk mund të vazhdohet kështu”.

“Unë realisht i ftoj të gjithë shqiptarët që të mos jenë tolerantë në opinionin e tyre në raport me këto shfaqje që të kujtojnë ato mitingjet pa shije të viteve ’90-të, ku hipur mbi makina, mblidh njerëz me dy gishta, grumbullohen me flamuj deri dhe në festë, në një festë popullore si ajo në Elbasan, vër ulërimën, krijo kot ndotje akustike në mes të qytetit, madje në mes të një feste dhe pastaj bëj edhe viktimën, sikur u sulmove. Ndërkohë që qëndron aty si një provokator i njerëzve, pa dallim dhe me montazhe skuthësh krijon komplet ide të gabuara mbi atë që në fakt ka ndodhur e që nuk kishte asnjë lidhje as me mua, as me ne që ishim aty, por ishte thjesht e vetëm rezultati i mungesës së plotë të përgjegjshmërisë”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “provokime, acarime, tensionime krejt të panevojshme, krejt të padobishme, krejt të pavend, në këtë kohë ku sigurisht edhe ne patjetër do t’i bëjmë të gjitha ato që mendojmë se duhet t’i bëjmë për të fituar këtë ndeshje. Por mbi të gjitha nuk do harrojmë asnjë moment se në ndërkohë është një ndeshje tjetër shumë më e madhe, shumë më e rëndësishme që zhvillohet sekondë më sekondë, që është ndeshje për jetën, ndeshja për të fituar një luftë dhe për të dalë nga një tunel ku po shohim dritë më në fund e për t’i çliruar më në fund të gjithë, pa dallim, nga ankthi i infektimit, nga ankthi i humbjes së njerëzve të dashur në familjet e tyre”.

 

Fraksion.com