Rusia thërret për konsultime ambasadorin e saj në Uashington
Rusia e ka tërhequr për konsultime ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara.
“Ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov, është ftuar të vijë në Moskë për konsultime me qëllim të analizimit për atë që duhet bërë në kontekstin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara”, tha ministria e Jashtme ruse, përmes një deklarate.
Moska theksoi se dëshiron të parandalojë një “përkeqësim të pakthyeshëm” në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Veprimi rus u bë disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden tha se Rusia do të “paguajë një çmim” për ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-së dhe se ai pajtohet me vlerësimin se homologu i tij rus, Vladimir Putin është një “vrasës”.
I pyetur gjatë një interviste në ABC News se cilat mund të jenë pasojat, Biden u përgjigj: “Ju do t’i shihni së shpejti”.
Intervista u realizua vetëm pak kohë pas publikimit të një raporti nga Zyra e Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, që tregon se Putin “ka autorizuar një varg organizatash qeveritare ruse që të ndikonin në operacione, me qëllim të denigrimit të kandidaturës së presidentit, Joe Biden dhe Partisë Demokratike, duke përkrahur ish-presidentin, Donald Trump, për të minuar besimin publik në procesin zgjedhor dhe për të rritur ndarjet sociopolitke në Shtetet e Bashkuara”.
Biden ka mposhtur Trumpin në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe është inauguruar më 20 janar.
Kremlini më 17 mars mohoi gjetjet e raportit, duke thënë se ato ishin “absolutisht të pabazuara”.
Fraksion.com