Ministri britanik: Vaksina e AstraZenecas është e sigurt
Vaksina kundër koronavirusit e kompanisë AstraZeneca është e sigurt, ka thënë Sekretari britanik i Shëndetësisë Matt Hancock, pas vendimit të disa shteteve evropiane për të pezulluar përdorimin e saj, teksa rriten shqetësimet për trashje gjaku.
Ai u ka bërë thirrje njerëzve “që të dëgjojnë rregullatorët” dhe të “marrin vaksinën” sa më shpejt që kanë mundësi.
Rreth 13 shtete kanë pezulluar përdorimin e vaksinës, duke pritur sqarim për sigurinë e saj.
Mirëpo agjencia britanike për ilaçe dhe shëndet publik ka thënë se të dhënat “nuk sugjerojnë” se vaksina ndikon në trashje gjaku.
Rreth 17 milionë persona në gjithë Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë pranuar një dozë të vaksinës, dhe deri javën e kaluar janë raportuar më pak se 40 raste me trashje gjaku, ka thënë AstraZeneca.
Në deklaratën e kësaj kompanie është thënë se numri i rasteve me ndërlikime ka qenë më i vogël sesa qindra raste që do të mund të raportoheshin në mesin e popullsisë së përgjithshme.
Hancock ka thënë se rregullatori britanik, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Ilaçeve besojnë se vaksina është e sigurt.
“Ne rishikojmë efektin e këtyre vaksinave vazhdimisht dhe ne e dimë se vaksina e AstraZenecas është duke ruajtur jetë njerëzish tani në Mbretërinë e Bashkuar, andaj nëse merrni thirrjen, shkoni me merrni vaksinën”, ka thënë ai.
Danimarka ka qenë vendi i parë që ka pezulluar përdorimin e kësaj vaksine, e përcjellë nga Norvegjia dhe Islanda.
Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Qiproja, Letonia dhe Suedia, janë të fundit që kanë ndjekur këtë shembull.
Shtete tjera, përfshirë Austrinë, kanë ndalur përdorimin e një sasie të dërgesave të kësaj vaksine, derisa Belgjika, Polonia, Republika Çeke dhe Ukraina, kanë thënë se do të vazhdojnë të vaksinojnë popullatën me të.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve pritet të publikojë gjetjet e hetimeve të enjten – mirëpo ka thënë se është “thellësisht e bindur” për përfitimet e vaksinës së prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca.
Fraksion.com