Kremlini dënon planin e Britanisë për rritje të arsenalit bërthamor
Kremlini ka thënë të mërkurën se ndjen keqardhje për vendimin e Britanisë së Madhe për të rritur arsenalin bërthamor, pasi Britania ka bërë të ditura planet për të rritur numrin e kokave bërthamore nga 180 në 260, deri në fund të dekadës.
Britania ka publikuar të martën një dokument që rikalibron politikën e saj të jashtme, duke përfshirë edhe rritjen e arsenalit bërthamor, duke u tërhequr nga përkushtimet e së kaluarës për të zvogëluar sasinë që ka.
“Neve na vjen keq që Mbretëria e Bashkuar ka marrë këtë rrugë të rritjes së kokave bërthamore. Ky vendim dëmton stabilitetin ndërkombëtar dhe sigurinë strategjike”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dimtry Peskov para gazetarëve.
“Prezenca e kokave bërthamore kërcënon paqen në botë”, ka shtuar.
Vendimi i ri i autoriteteve britanike është në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në mes të Moskës dhe Uashingtonit.
Në janar, Rusia është pajtuar me Shtetet e Bashkuara për të vazhduar një pakt bërthamor në mes të të dyja shteteve, për zvogëlim të numrit të armëve.
Në dokumentin e Britanisë për politikë të jashtme, Rusia është identifikuar si “kërcënimi më direkt” për Mbretërinë e Bashkuar.
Peskov ka thënë të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar ka cituar “kërcënimin” pa “sqarim”.
“Kjo nuk është e vërtetë”, ka shtuar ai.
“Asnjë kërcënim nuk vjen nga Rusia”.
Moska dhe Londra kanë përkeqësuar marrëdhëniet për shkak të helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal në qytetin britanik Sallbëri më 2018, me agjent nervor Noviçok.
Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë në pikën më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të supozimeve për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulme kibernetike./REL
Fraksion.com