KLGJ shkarkon nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha
Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të pranojë kërkesën e ILD për shkarkimin nga detyra.
Vendimi u mor pak minuta më parë në mbledhjen e KLGj.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha prej javësh po mbahet nën arrest pas dyshimeve për korrupsion. Mësohet se pas shpalljes së vendimit në mbledhjen e sotme nuk ka patur diskutime mes palëve, kjo pasi ata ishin shprehur me herët.
Kreu i ILD-së, Artur Metani argumentoi se gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka shkelur rëndë ligjin në rastin e lirimit nga qelia të të dënuarit Hekuran Billa. Metani argumentoi se gjyqtarja Hoxha ka kryer veprime të shkeljes së rëndë disiplinore me vendimin e marrë. Ndër të tjera vetë gjyqtarja Hoxha pranoi se ka gabuar në rastin e të dënuarit, Hekuran Billa, duke pretenduar se shkeljet nuk janë në masë aq të rëndë sa për shkarkim nga detyra dhe propozoi nje pezullim dy vjeçar.
Prej 11 shkurtit gjyqtarja Enkelejda Hoxha është arrestuar me urdhër të SPAK, nën akuzën e korrupsionit. Së bashku me 9 persona të tjerë të vënë në pranga gjatë operacionit, ata akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.
Gjyqtarja u arrestua së bashku me disa punonjës të Gjykatës së Krujës, pas hetimeve disa mujore dhe zbulimit të një skeme mashtrimi për lirimin e disa të dënuarve, ndër të tjerët Endrit Doklen, Hekuran Billën dhe Ilir Pajën.
Fraksion.com