Bozo dhe Çomo kryesojnë listën e Tiranës; Kodheli: Simbolika e përballjes me tërmetin dhe pandeminë
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli e cila renditet në vendin e 21 në listën e qarkut të Tiranës deklaroi se për të nuk ishte surprizë kjo renditje, madje e cilëson si logjikë të drejtë që “pesha të rënda apo senatorë” të politikës së majtë duke përfshirë atë, Fatmir Xhafajn apo dhe Pandeli Majkon të jenë poshtë vendeve të sigurta.
Sipas saj, renditja mund të ndryshojë në fund të procesit zgjedhor, duke u shprehur e bindur e mund të marrë numrin e nevojshëm të votave preferenciale për të qenë sërish deputete.
“Ne mund të thyejmë të famshmin hers apo prag, duke pasur eksperiencën, mbështetjen nga PS dhe njerëz të tjerë, qytetarë që me parti nuk merren kurrë. Besoj se nuk do të jetë e vështirë për ne për ta kapërcyer këtë prag dhe për të dalë nga ai pozicion në pozicione shumë më të larta”, shtoi Kodheli.
Kodheli nga ana tjetër thotë se ka shumë pak kohë në dispozicion për t’u shpjeguar qytetarëve mënyrën e votimit dhe i druhet faktit se mund të ketë shumë vota të pavlefshme.
“Vota për individin është nul nëse nuk shoqërohet me votë për partinë ndërsa nëse votohet vetëm për partinë, atëherë kjo votë është e vlefshme dhe në fund përpjesëtohet për të gjithë kandidatët”, shpjegoi Kodheli. Ajo iu referua rastit të Kosovës ku pas ndryshimit të sistemit zgjedhor pati shumë vota të pavlefshme.
“Rëndësi ka marrja e mbi 10 mijë votave dhe ti ndodhesh në Parlament duke kapërcyer dikë tjetër që nuk ka mundur dot t’i marrë kaq vota. Shqetësimi im i vetëm është se krijohet ideja që jemi shumë vonë për t’ia shpjeguar publikut se si do të votohet. Fakti që nuk ka dalë ende fleta e votimit e bën këtë të vështirë. Besoj se një muaj nuk është i mjaftueshëm për t’i shpjeguar gjithkujt se si duhet votuar”, tha Kodheli.
Në afrimin e emrave të rinj, si Luljeta Bozo apo Najada Çomo, deputetja socialiste tha se ka patur një simbolikë të qenësishme për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në jetën e të gjithë shqiptarëve, si tërmeti që tundi shpresën tonë për të ardhmen dhe pandemia. “Këto dy zonja kanë qenë simbolika e përballjes me situatën”, deklaroi Kodheli.
Fraksion.com