Basha: Bujqësia një nga sektorët prioritarë, në 8 vite ka qenë i harruar
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet ditën e sotme në Vlorë, ku ka vizituar një fabrikë ulliri në fshatin Trevllezër.
Basha tha se “një nga prioritet që duhet të jetë parësor për qeverinë, është bujqësia, por në 8 vite ka qenë sektori më i harruar. Kjo gjë sipas tij do të marrë fund pas 25 prillit, ku qeveria e ardhshme në krye të prioriteteve do të ketë bujqësinë dhe fermerët shqiptarë. Për këtë ai premtoi se do të ketë subvencione për çdo fermer të paktën sa vendet e rajonit”.
“Në asnjë vendit të botës nuk ecën as bujqësia, as blegtoria, as agropërpunimi pa subvencione nga shteti. Në Amerikë, në Bashkimin Europian dhe në vendet fqinje. Bashkimi Europian 1/3 e buxhetit, e ka mbështetje për fermerin. 1 në 3 euro që shpenzon Bashkimi Europian, që është tregu më i madh i botës, e shpenzon në mbështetje për fermerin. Maqedonia e Veriut, 100 milion, ka shkuar më shumë 120 milion euro subvencione për fermerin”, tha Basha.
“Çfarë kemi bërë ne? E filluam me këto subvencionet për ullinjtë para shumë vitesh dhe kaluam nga 2 milion apo 3 milion, në pothuajse 20 milion rrënjë ullinj. Kjo çfarë solli? Kjo solli në radhë të parë që ne u bëmë një faktorë në prodhimin e vajit të ullirit, edhe për tregun vendas, edhe për tregun e huaj. Sepse për herë të parë ne patëm mjaftueshëm vaj ulliri dhe të një cilësie superiore, të varieteteve të ndryshme”, theksoi Basha.
“Do të kemi politika për t’i mbështetur fermerët që prodhojnë ullirin sepse pa ullinj nuk ka vaj. Ta shtojmë prodhimin e ullirit dhe kjo do të thotë të keni mbështetje direkte financiare. Të gjithë atë punë që bëni ju me ullirin mos t’i paguani nga xhepi. Pse fermeri italian e nxjerr vajin e ullirit me kosto më të ulët dhe me çmim konkurrues? Sepse merr para nga republika italiane. Greku po kështu, spanjolli po kështu. Kush punon më shumë? Fermeri shqiptar punon më shumë. Çfarë i mungon? Mbështetja e qeverisë. Prandaj në planin e qeverisë gjëja e parë që kemi është 100 milionë euro subvencione për fermerin për të rritur prodhimin dhe 50 milionë të tjera për të rritur infrastrukturën ku përfshihen fabrikat e vajit të ullirit. Kjo është e para. Që Shqipëria duhet të ndryshojë kjo s’ka pikë diskutimi. Që ndryshimi vjen duke e çuar Shqipërinë drejt Evropës kjo s’ka pikë diskutimi”, u shpreh kreu i PD.
“Ajo që duhet të kuptoni është që këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkë prandaj duhet vota e të gjithëve ju. Mërzinë ua di, dhimbjen ua di, unë e di se çfarë do të thotë të hedhësh lekët e xhepit dhe jo mos të nxjerrësh fitim por të zhytesh në borxh. Në këtë moment unë ju garantoj dy gjera, dy gjera ju garantoj, programin tonë për bujqësinë do ta vëmë në lëvizje që ditën e parë dhe unë s’po ju them që do bëjmë mrekullira si Italia dhe Spanja, por të paktën as sa bënë Shkupi, aq sa bënë qeveria e Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Për fermerët tanë, tha Basha ne do të bëjmë edhe më shumë se aq dhe në këtë mënyrë ti do të jesh në gjendje të financosh me paratë që të vijnë nga shteti pa kontakt me nëpunësin, se nëpunësi thotë më jep mua 20%, 30% që do të të jap subvencion.
Fraksion.com