AktualitetKosovaTë fundit

Kosova hap zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem

Ministria e Jashtme e Kosovës tha të shtunën se ka hapur ambasadën në Jerusalem, duke e bërë Kosovën vendin e tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet.

Në një njoftim të ministrisë së Jashtme të Kosovës të publikuar në rrjetet sociale thuhet se “bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë̈ ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem”.

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministria e Jashtme tha të shtunën se “në pamundësi për të qenë prezentë̈ në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem”.

Kosova ka emëruar zonjën Ines Demiri të ngarkuar me punë ndërsa emërimi i ambasadorit do të bëhet më vonë.

 

Njoftimi i sotëm u dha fund debateve që ishin nxitur në Kosovë për shkak të reagimeve të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.

Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ishte shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraeli dhe në maj të viti 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

Të enjten në 11 mars Republika Çeke hapi përfaqësinë e saj diplomatike në Jerusalem./voa

 

Fraksion.com