AktualitetPolitikëTë fundit

Rama prezanton skuadrën e Durrësit; Ekipi ynë përfaqësues i gjithë qarkut

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidatët e partisë Socialiste në Durrës, ku edhe vet është pjesë e garës në zgjedhjet e 25 prillit.

“Më vjen shumë mirë që sot zyrtarisht edhe unë jam pjesë e kësaj skuadre dhe ardhja ime në Durrës është e lidhur drejtpërdrejtë me dëshirën e madhe dhe ambicien për t’i dhënë një shtysë të re Durrësit, në një moment ku potenciali i jashtëzakonshëm i tij nuk është më thjeshtë një potencial i fjetur të cilin ne po e adresojmë me projekte konkrete”, tha Rama.

Rama vlerësoi se skuadra e propozuar nga PS është përfaqësuese e të gjithë qarkut.

“Së pari dua të shpreh kënaqësinë e madhe që ne kemi një skuadër, e cila është skuadër përfaqësuese e gjithë këtij qarku. Mbi të gjitha, në Durrës ne kemi në radhë të parë dy mike, kolege dhe zonja të mirënjohura dhe nderuara, jo vetëm nga qytetarë të Durrësit, por i gjithë opinion publik, Milvën (Milva Ekonomi)ministren tonë aktuale të Bujqësisë, karriera e të cilës nuk ka nevojë dhe nga ana tjetër Klodin (Klodiana Saphiu) doktoreshën tonë, e cila është një model i njeriut qytetar, profesionist dhe activist”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, Klodi ka bërë një hap të madh e jo aq të lehtë në kohën kur është përfshirë në skuadrën tonë herën e parë.

“Është një person i angazhuar shumë me njerëzit. Ka lënë profesionin, ushtrimin e drejtpërdrejt të tij për të përfaqësuar këtë komunitet dhe ajo çka është vërtet e admirueshme, është se deri sot në kaq vite që kontribuon me shumë pasion në të gjitha proceset e Parlamentit ku ajo ka rolin e saj nuk e kam dëgjuar të kërkojë për veten por të aktivizohet e të këmbëngulë për çështje që lidhen me ecurinë e shëndetësisë dhe problemet e komunitetit apo edhe me njerëz të zakonshëm që kanë patur nevojë për kujdes”, u shpreh Rama.

Rama vlerësoi edhe Anën Dhamon, Kejda Ferrën dhe Klementina Meçen, të cilat, tha ai, kanë qenë aktiviste në skuadrën e PS-së dhe përfaqësojnë angazhimin me komunitetin, atë që është karakteristikë që normalisht duhet ta kenë e që nuk lidhet në fushatën e nuk zgjidhet pasi mbarojnë zgjedhjet.

“Në këtë skuadër përveç, Milës e Klodit, ne kemi edhe Anën, një aktiviste e skuadrës sonë në Durrës. Pasi është kthyer nga jashtë ajo është angazhuar dhe ka qenë pjesë e skuadrës së vitit 2017 pa kërkuar asnjëherë asgjë më shumë se sa mundësinë për të kontribuar. Kemi Kejdën dhe Klementinën. E nisa nga gjysma më e mirë e çdo situate kur flitet për burra e gra ,sepse ato janë gjysma më e mirë e kësaj shoqërie, ashtu sikundër janë gjysma më e mirë e një familjeje”, theksoi kryeministri.

Lidhja me komunitetin, tha Rama, është konstante e jetës së përditshme të përfaqësuesve të Kuvendit dhe në këtë aspekt jam i kënaqur me punën e tyre qoftë në bashkinë e Krujës, Shijakut e hapësirat rurale.

Alban Xhelili është një tjetër kandidat i PS-së, që sipas kryeministrit Rama, do të jetë vlerë e shtuar e grupit të ekonomisë e financave në Parlament.

“Nuk ka kërkuar asnjëherë nga shteti apo punuar për shtetin, por vijimësisht është dikush që dijet tij e aftësitë e tij i ka vënë në dispozicion të profesionit dhe ka arritur të krijojë respekt te njerëzit duke ndihmuar bizneset.

Në fund fare, vijoi fjalën kryeministri, jam edhe unë. “Nuk mund të kem dy vende në Parlament, por do të zgjedh vendin ku do të më duan më shumë. Është një garë mes njerëzve të nënës dhe babait. Jam kurioz ta shikoj kush do të më dojë më shumë“, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi edhe rolin e deputetes Eglantina Gjermeni, e cila nuk do të jetë candidate e PS-së, por tha ai vijon të mbështesë skuadrën.

“Pas 12 vitesh e angazhuar si deputete, e një peruidhe jo të shkurtër si përfaqësuese e Krujës , një roli të paharrueshëm në nxitjen e grave dhe vajzave për tu përfshirë në jetën sociale vendosi të ndërpresë jetën politike, por jo si militante shoqërore që e ka nisur shumë kohë më parë si protagoniste në radhët e shoqërisë civile e vijuar në jetën politike të PS-së dhe që do ta vazhdojë më tutje nga një tjetër kënd”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com