Nënshkruhet marrëveshja me SHBA-të, Rama: Futet gazi i lëngshëm natyror nga Amerika, konvertohet dhe TEC-i i Vlorës me LNG
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi përmes Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy”, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri.
Ky projekt përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës me LNG, ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e LNG, duke e shndërruar Vlorën në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot këtë marrëveshje një zhvillim fantastik për energjetikën shqiptare dhe një sukses domethënës për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Në fjalën e tij në ceremoninë online, Kryeministri Rama tha se “zhvillimi i këtij projekti me lider të kësaj industrie si “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy” dhe bashkëpunimi me SHBA dhe me Departamentin Amerikan të Energjisë për ta bërë këtë projekt realitet është një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
“Të përballesh me një kompani që ka të ardhura 20 herë më të larta se PBB jonë është mbresëlënëse. Falë Zotit jeni këtu për të qenë aleatë dhe jo për të luftuar me njëri-tjetrin, është e shkëlqyer të kesh partnerë si ju”, – tha Rama.
“Unë besoj fort që në këtë rrugëtim drejt së ardhmes ne të jemi në gjendje ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë brenda 2030. Për këtë kemi qenë me fat të kemi partnerët më të mirë të pajisur me përvojën dhe ekspertizën më të mirë për realizuar një projket të kësaj përmase e këtij kompleksiteti”, – nënvizoi Rama.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se “ky është projekti i dytë madhor i nënshkruar vetëm këto pak muajt e fundit mes qeverisë sonë dhe partnerëve amerikanë pas atij për ndërtimin e hidrocentralit më të madh në 50 vjet që është diga e Skavicës”.
“Më duhet të them se asnjë prej të dyjave nuk do të kishte qenë e mundur pa dikë që është këtu në këtë takim, që natyrisht është grua, sepse vetëm gratë e forta mund të bëjnë të mundur gjëra të tilla. Ajo është Ambasadorja amerikane, sepse më së fundi ishte ajo që ia doli të shtynte një hap më tej këtë marrdhënie duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunimit ekonomik dhe dua ta falënderoj. Gjithashtu dua të falënderoj gjithkënd tjetër që ka kontribuar për këtë projekt, i cili besoj që do t’i japë një shtysë të pabesueshme të moralit të qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë së vendit. Pasi duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin natyror dhe duke ia dalë që të sjellim në jetë një nga investimet e së kaluarës që ka qenë një dështim, është vërtet shumë, shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama.
“130 milionë dollarë u shpenzuan shumë keq. E di që për “Exxon” janë qindarka, por për Shqipërinë është një vlerë e jashtëzakonshme”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “konvertimi i hidrocentralit nga nafta me gaz dhe vënia në funksionim më së fundi e termocentralit është hap i jashtëzakonshëm. Këto janë dy projekte të rëndësishme në një marrëveshje”.
“Epoka e artë e gazit e parashikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shfaqet mirëfilli sot. Mund të jetë veçanërisht e artë për këtë anë të botës për rajonin e Ballkanit ku unë besoj fort se kur të shkruhet historia e plotë e shekullit të 21-të, historianët do të reflektojnë mbi zanafillat e kësaj epoke të artë për këtë rajon”, shtoi Rama.
Fraksion.com