“Humbësi bëhet i rrezikshëm në ditët e fundit”; Basha në zyrën e FRD-së, gris shkresën e bashkisë për të liruar zyrat
Vetëm pak orë pas përplasjes së presidentit Ilir Meta me efektivët e policisë bashkiake të cilët po lironin zyrat e FRD-së, në ambientet e partisë opozitare ka mbërritur edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.
Kreu i PD-së, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të opozitës, iu drejtua kryeministrit Edi Rama, se nuk ka shans që ai të frikësojë opozitën, dhe se tashme është e qartë fitorja pasi humbësi po bëhet i rrezikshëm. Basha madje në mënyrë demostrative, ka grisur shkresën e bashkisë dërguar kreut të FRD-së për të liruar zyrat, ndërkohë të cilën e ka cilësuar atë si një ‘letër bakalli’.
Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët për veprimin e presidenti, Basha tha se Meta është në lartësinë e duhur për të mbrojtur kushtetutën.
‘Duket qartë se fitorja po vjen humbësi bëhet i rrezikshëm ditët e fundit. Është ajo që populli shqiptar e njeh dhe thotë ruaju bishës së plagosur. Nuk ke shans ta trembësh apo ta frikësosh opozitën që ka marrë përsipër ndryshimin. 25 prilli është ndryshmi i vërtetë dhe këtë e di edhe Edi Rama. Nga ngjarja e sotme është një seri ngjarjesh që tregojnë një gjë ka humbur mendjen dhe ka dalë nga fiqir nga frika e humbjes. Me një letër bakalli me atë të cilës mendojnë se mund të ushtrojnë presion. (Gris letrën). E kanë vuajtur dhunën e shtetit mijëra qytetarë nga banditët e qeverisë. Dhunë e kanë ndjerë mijëra familje. Ilir Meta është në lartësinë e detyrës për të mbrojtur shtetin dhe Kushtetutën. Hakmarrja është tipari më dallues i Edi Ramës në këto 8 vite. Dhuna është e vetmja alternativë që ai ka pasur për shqiptarët. Unë i bëj thirrje të gjithë gazetarëve profesionistë që edhe kur ndodhën në thundrën e regjimit siç është rasti i disa televizioneve që të bëjnë detyrën e tyre. Të gjithë bashkë për ndryshimin.’- tha Basha.
Kujtojmë se ditën e sotme presidenti Ilir Meta është përfshirë në një rast të paprecedent, duke u përplasur me Policinë Bashkiake, e duke hyrë me forcë në zyrat e FRD-së. Kjo sepse sipas Metës, kërkesa e Bashkisë që FRD-ja të lirojë zyrat është me prapavijë politike.
Meta është përballur fizikisht me policët dhe zyrtarin e Bashkisë, madje edhe i ka kërcënuar ato duke i thënë që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”. Kreu i shtetit ka degjeneruar në një sjellje aspak të hijshme për një president për të mbrojtur zyrat e FRD-së, në një kohë kur vetë Sali Shehu përpiqet në një moment që ta qetësojë.
Fraksion.com