AktualitetBota+Të fundit

Grupi i Katërshes, mekanizëm për financimin e një miliard vaksinave për Azinë Juglindore

Presidenti Joe Biden dhe kryeministrat e Japonisë, Indisë dhe Australisë do të takohen sot virtualisht në kuadër të atij që njihet si “Dialogu Katërsh mbi Sigurisë”, ku do të diskutojnë rreth strategjive për t’iu kundërvënë rritjes së ndikimit të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit përfshirë përballjen me diplomacinë ambicioze të Pekinit mbi shpërndarjen e vaksinave.

Gjatë një konference telefonike me gazetarët të enjten një zyrtar i administratës së Presidentit Biden tha se grupi i katërshes pritet të nisë një mekanizëm financimi për të prodhuar rreth një miliardë vaksina deri në vitin 2022 për të plotësuar kërkesat për vaksina në rajonin e Indo-Paqësorit kryesisht në vendet e Azisë Juglindore.

“Grupi ka bërë bashkë “mjete komplekse financimi” për të rritur në mënyrë dramatike kapacitetin e prodhimit të vaksinave”, tha zyrtari. Një tjetër zyrtar i administratës tha se Korporata Ndërkombëtare amerikane për Financim e Zhvillim po punon me kompani në Indi dhe qeveritë e Japonisë e Australisë për të rritur prodhimin e vaksinave tashmë të autorizuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Por zyrtarët e administratës nuk sqaruan nëse ky mekanizëm i vaksinave i grupit të katërshes do të funksiononte veçmas apo bashkë me COVAX-it, mekanizmin global për shpërndarjen e 2 miliardë vaksinave tek 94 vende të varfra deri në fund të vitit, pjesërisht duke përdorur vaksina të kompanisë AstraZeneca të prodhuara nga Instituti Serum i Indisë.

COVAX-i bashkëdrejtohet nga Gavi, Aleanca e Vaksinave, një partneritet publik-privat global në fushën e shëndetësisë financuar nga fondacioni Bill dhe Melinda Gates. Gavi ka qenë lojtari dominues në financimin dhe shpërndarjen e vaksinave të ndryshme që nga themelimi në vitin 2000, por është e paqartë nëse Gavi do të përfshihet në mekanizmin e vaksinave “Quad”.

Presidenti Biden ka qenë nën presion për t’iu përgjigjur diplomacisë së vaksinave të Pekinit ndërsa po kërkon të vaksinojë fillimisht të gjithë amerikanët duke siguruar që të ketë mbifurnizim me vaksina në depot e rezervave në SHBA për t’u përgatitur kundër varianteve të reja e për të vaksinuar fëmijët. Aktualisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme se cila nga tre vaksinat e autorizuara për përdorim emergjent në SHBA është e sigurt dhe efektive për fëmijët.

Vitin e kaluar Presidenti kinez Xi Jinping tha se vaksinat e prodhuara nga Kina do të ishin një “e mirë publike për gjithë globin”. Që nga ajo kohë, Pekini u ka premtuar afërsisht gjysmë miliardi doza më shumë se 45 vendeve, sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press” që disponon listën e tyre. Pas dështimeve fillestare të Kinës në trajtimin e epidemisë, disa e shohin diplomacinë e vaksinave të Pekinit si një taktikë për të ngrënë turpin me bukë, për të shpëtuar reputacionin dhe një mjet për të zgjeruar ndikimin e saj.

Përballja me Kinën

“Katërshja” nuk është një aleancë zyrtare ushtarake, por shpesh shihet si një kundërpeshë e rritjes së ndikimit ushtarak dhe ekonomik të Kinës në Azi. Takimi 90 minutësh i së premtes do të ishte i parë mes udhëheqësve që nga takimi i tyre në 2004 pas cunamit në Aceh, të Indonezisë.

“Presidenti Biden ka punuar shumë për t’i bërë bashkë këta udhëheqës e për të bërë një deklaratë të qartë mbi rëndësinë e rajonit të Indo-Paqësorit”, tha zyrtari i administratës amerikane. Ai shtoi se gjatë takimit të udhëheqësve do të ketë një “diskutim të sinqertë e të hapur mbi rolin e Kinës në skenën botërore”.

Analistët thonë se pritshmëritë janë që takimi i nivelit të lartë t’i japë një hov axhendës së administratës së presidentit Biden për vendet e Indo-Paqësorit.

“Ky është një sinjal mjaft i fortë se kjo është një përparësi e madhe për administratën e re”, thotë Sheila A. Smith, eksperte mbi studimet e Japonisë në Këshillin për Marrëdhëniet e Jashtme me bazë në Nju Jork.

Pas samitit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin do të udhëtojnë së bashku drejt Japonisë dhe Koresë së Jugut javën e ardhshme.

 

Fraksion.com