Bashkia u kërkon të lirojnë zyrat! Meta në mbrojtje të Sali Shehut, përplaset me policinë, hyn me forcë në zyrat e FRD: Jashtë ose do ju çoj në burg me duart e mia
Presidenti Ilir Meta është përfshirë në një rast të paprecedent, duke u përplasur me Policinë Bashkiake, e duke hyrë me forcë në zyrat e FRD-së. Kjo sepse sipas Metës, kërkesa e Bashkisë që FRD-ja të lirojë zyrat është me prapavijë politike. Meta është përballur fizikisht me policët dhe zyrtarin e Bashkisë, madje edhe i ka kërcënuar ato duke i thënë që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”.
“Dilni përjashta , mos krijoni probleme kaq, po ju them. Do ju çoj në burg me duart e mia, kaq po ju them”, u ka thënë presidenti Ilir Meta punonjësve të policisë tejet i acaruar.
Shkak është bërë një konflikt që nisi pasi anëtarët e FRD nuk pranojnë të lirojnë zyrat më kërkesë të bashkisë Tiranë, ku në një shkresë të kësaj të fundit thuhet se ata duhet të dalin pasi ndërtesa është e amortizuar.
Ndërkohë në një deklaratë për mediat Sali Shehu kreu i FRD tha se kjo është një goditje politike në një moment prag fushate.
Deklarata e Sali Shehut.
Nga zyrat e bashkisë ka ardhur një shkresë e pafirmosur, e pavulosur në mënyrë joinstitucionale, e cila bën fjalë për lirimin e ambienteve që disponon Fryma e Re Demokratike që nga muaji Prill 2016. Fryma e Re Demokratike e quan si provokim të rëndë që bien ndesh flagrant me ligjin mbi patitë politike. Aq më keq tentativat e neveritshme për të fikur dritat si dhe përdorimi i policisë bashkiake, e cila paguhet me taskat e shtetit shqiptar për të ndaluar anëtarët e partisë Fryma e Re Demokratike të ngjiten në selinë e tyre, janë të papranueshme, thellësisht politike dhe mjaft të rrezikshme në këtë prag zgjedhjesh.
Zoti Kryetar, ju bëjmë me dije që ne jemi në të drejtën tonë, të drejtë të cilën na e garanton ligji mbi partitë politike, neni 22, pika b, paragrafi 2 të cilën e citojmë “Partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore.
Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qënë mbi 1 përqind në shkallë vendi.”.
Zoti Veliaj, Fryma e Re Demokratike nuk mund ta besojë se këto veprime janë urdhëruar nga ju, prandaj duhet menjëherë të urdhëroni ndalimin e kësaj marrëzie provokuese që bie ndesh me frymën e bashkëpunimit politik që duhet të ketë vendi në prag të zgjedhjeve pasi ky është një nga kushtet e integrimit të Shqipërisë dhe është e vendosur në rezolutën e Bashkimit Europian. Zoti Veliaj, Fryma e Re Demokratike është pjesë e koalicionit Aleanca për Ndryshim, nuk është e rastësishme që shkesa ka ardhur vetëm tre ditë pasi është nënshkruar kjo marrëveshje. Kjo i bën veprimet e tuaja thellësisht politike, antiligjore dhe provokuese. Duke përfunduar besojmë se ndërhyrja juaj do të jetë e menjëhershme për të ndaluar këtë akt të paprecedentë.
Fraksion.com