AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Arrihet marrëveshja mes Shqipërisë e Italisë për njohjen e patentave/ Xhaçka: Veprime konkrete si ky, impakti më konkret tek qytetarët

Shqipëria dhe Italia arritën sot marrëveshjen për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, e para që pas emërimit në krye të MEPJ-së, ku u prit në një takim nga ministri për Punët e Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio.

Xhaçka dhe Di Maio konfirmuan zyrtarisht përfundimin e procedurave për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve.

“Arritëm marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi. Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet javën e ardhshme në Tiranë mes strukturave përgjegjëse”, tha ajo.

Xhaçka tha se “veprime konkrete si ky janë impakti më konkret tek qytetarët”.

Ajo i shprehu mirënjohjen qeverisë italiane për solidaritetin dhe kontributin për rindërtimin pas ndërtimit.

Po ashtu, Xhaçka e cilësoi komunitetin arbëresh në Itali, si urë lidhëse mes dy popujve tanë.

“Nxisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Shumë shpejt nis punën Komisioni i Përhershëm Ekonomik Shqipëri – Itali”, tha ajo.

Xhaçka e cilësoi Italinë si “një avokat i palodhur i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Ndërsa ministri Di Maio tha se në zgjedhjet e 25 prillit të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të japin prova demokracie.

“Forcat politike të japin mesazhin se interesi kombëtar qëndron mbi interesat partiake”, tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com