Meta takim me Sorecën dhe Del Monaco: Ndëshkim me forcën e ligjit për çdo individ që do përfshihet në skema të krimit zgjedhor
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar këto ditë takime me Ambasadorët e OSBE dhe BE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco dhe Luigi Soreca.
“Thirra këto ditë në takime të veçanta Ambasadorët e OSBE dhe BE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco dhe Luigi Soreca. I informova rreth takimit, që zhvillova me shoqërinë civile për problematikat, që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe mundësimin e votimit për shtetasit e prekur nga COVID-19”, u shpreh Meta.
“Theksova se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo tentative për intimidimin, presionin dhe pengimin e pjesëmarrjes masive në zgjedhjet e 25 prillit 2021”, shtoi Meta.
“Çdo individ, që do të përfshihet në skema të krimit zgjedhor, do të ndëshkohet me forcën më të rreptë të ligjit”, u shpreh Meta.
“Vlerësova mesazhin e qartë të Bashkimit Europian se autorët e dosjeve 184 dhe 339 nuk do të amnistohen, njësoj siç nuk do të amnistohet askush tjetër, që do të guxojë të prekë votën e lirë më 25 prill”, theksoi Meta.
“Zgjedhjet e 25 prillit do të vendosin për fatet e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj të pakthyeshme europiane”, nënvizoi Meta.
Fraksion.com