“Kush më mirë se sa mua…”; Najada Çomo zbulon arsyen se pse pranoi ftesën për të qënë në listën e PS
Shefja e Infektivit, Najada Çomo, e cila është pjesë e listave të Partisë Socialiste për kandidate për deputete në zgjedhjet e 25 prillit, ka treguar arsyen se pse e pranoi këtë ftesë.
Në një videomesazh të publikuar në faqen zyrtare të ‘Facebook’ të kryeministrit, Çomo theksoi se kush më mirë se ajo mund të reflektojë punën e madhe të bërë në spitalet COVID, ndërsa masat e vendosura nga qeveria i cilësoi efikase.
“Pasi mbarova fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1985 kam filluar punë në spitalin Infektiv dhe që nga ai vit nuk jam ndarë më prej atij shërbimi. Ka qenë një punë me përkushtim, me studim, me instruktim dhe natyrisht dinjitet profesional për t’i shërbyer pikërisht pacientëve në këto spitale.
Unë e pranova ftesën sepse kush më mirë se mua mund ta reflektojë punën e madhe të bërë në spitalet COVID, besoj dhe uroj të vlefshëm pikërisht për mbarëvajtjen e shëndetit të popullatës dhe sigurisht për ta bërë më të mirë këtë pjesë të politikës që jemi sot. Një nga motivet e forta për të vazhduar punën në mënyrë korrekte ka qenë dhe suporti maksimal i kryeministrit të vendit zotit Rama në mbarëvajtjen e kësaj pandemie. Ajo që na nevojitet më shumë nga të gjitha është që ne duhet të besojmë shumë shumë shumë”, shprehet ajo.
Çomo është e dyta në listën e PS për qarkun e Tiranës.
Fraksion.com