AktualitetPolitikëTë fundit

“Di të sfidoj”; Kodheli: Do marr më shumë se 10 mijë vota; Nder të jesh në listën e PS në Tiranë

Deputetja e PS, Mimi Kodheli e renditur e 21-ta në listën për kandidatë për deputetë të PS në qarkun e Tiranës, deklaroi  e ftuar në emisionin ‘Real Story’ në News 24, se, “unë do marr më shumë se 10 mijë vota dhe do kaloj atë që do marrë më pak se 10 mijë vota që sot konsiderohet i sigurtë brenda fashës 19 deputetë që mund të marrë PS në Tiranë”.

Duke folur në një intervistë televizive, Kodheli e konsideroi si nder që pas 20 vitesh në politikë kandidon sërish në listën e PS në Tiranë.

“Duhet të më jepni urimet që jam ende në lista, vazhdoj i rri politikës përballë, dhe vazhdoj të merrem me politikë. Besoj që kjo është rrjedha logjike e investimit tim 20-vjeçar në këtë fushë”, tha Kodheli.

“Dua ta falënderoj kryetarin së pari, dhe këdo që beson se meritoj të jem akoma në listën e PS në Tiranë, se të jesh në listën e PS në Tiranë është gjithmonë nder. Mund të tingëllojë patetike, por nuk është në fakt. Varet nga cili këndvështrim e sheh, çfarë interpretimi i jep numrit 21”, tha ajo.

E pyetur në lidhje me largimin nga posti i Ministres së Mbrojtjes, Kodheli tha se, “kam drejtuar qarkun e Kukësit, një “par excellance” qark i djathtë. Në qoftë se qarku do të kishte 4 karrige në parlament, 4 pozicione me rezultatin që unë dhe kolegët e mi të listës arritëm në atë qark, do të ishim 2-2 për herë të parë në historinë e atij qarku. Ishim 3, dhe për shumë pak vota, për 1 mijë vota nuk e morëm të dytin në qarkun e Kukësit. Përtej kësaj, rritja prej rreth 9 700 vota, krahasur me një 4-vjeçar më parë ishte rritja relative më e madhe në gjithë Shqipërinë”, tha ajo.

E pyetur në lidhje me debatet për përcaktimin e listave, Kodheli tha se, “Kodi Zgjedhor në gjykimin tim ka një ngërç të vogël, i cili duhej rregulluar. Dhe ngërçi ishte i tillë. Ne do kemi një start të barabartë tashmë midis njëri-tjetrit, sepse është një miks mes mazhoritarit dhe proporcionalit dhe besoj që ka pasur disa gjëra që duhet të rregulloheshin edhe në Kod, apo qoftë edhe me akte. Sepse ka akoma disa paqartësi dhe unë besoj që do t’i kemi këto pasoja edhe në ditën e fundit, pra deri në ditën kur do numërojmë, si do numërojmë, si do vëzhgojmë e kështu me radhë”.

“Nëse në Tiranë supozojmë ka rreth 930 qendra votimi dhe ka 36 kandidatë në listë, duhet që çdo deputet të kishte rreth 30 qendra votmi të tijat. Pra që starti të ishte i barabratë kudo. Pra të kishte një rishpërndarje të mënyrës tradicionale tek e cila janë mbështetur deputetët dikur. Dikur ka qenë njësia 1, njësia 2, dikush ka pasur Pezën, dikush Kavajën. Kjo gjë nuk duhet të ndodhte. Pse? Sepse nëse jemi të barabartë dhe kërkojmë vota personale sot, duhet që dikush të mos ketë një njësi me 120 qendra votimi dhe dikush të ketë një njësi me 12, me 9 qendra votimi, siç e ka Mimi”, tha ajo.

“E megjithatë, për aq kohë sa mua më lind e drejta të kërkoj votë në të gjithë qarkun e Tiranës, pavarësisht se baza ime është njësia 13, pra unë do kërkoj vota nga Kavaja deri në Shëngjergj dhe në harkun e 400 mijë votuesve, mua më lind e drejta, pavarësisht se kush është deputeti që punon aty, të kërkoj vota për Mimi Kodhelin. Dhe për aq kohë sa e konsideroj veten një politikane me përmasa jo lokale, por me përmasa nacionale, atëherë pse jo mos jem muskëtieri i radhës, ashtu siç pretendohet dhe siç duhet të jenë muskëtierët e radhës, ata që do mbajnë një ngarkesë shumë të madhe, ata që bashkë me mua kanë qenë në një fashë para e që tashmë janë në një fashë të diskutueshme në listën zgjedhore”, tha Kodheli.

“Kjo është çështje jo hakmarrje se unë nuk di të hakmerrem, por patjetër që di të sfidoj”, tha Kodheli, duke shtuar se, “unë sfidoj këdo që mendon që unë nuk do t’ia mbërrij”.

“Ditën që ai që më ka vënë në atë pozicion dhe ata që kanë miratuar mbrëmë pozicionin tim bashkë me mua, mendojnë që unë jam e zonja, për shkak të figurës, të të qenurit vite në parti, të asaj që përfaqësoj, të gruas dinjitare që jam, të eksperiencës të mënyrës sesi organizoj në terren fushatën, do të jem e zonja t’i marr 11 mijë vota, që do t’i marr”, tha Kodheli.

 

Fraksion.com