Kryemadhi, takim në njësinë 4: Ne duhet të marrim në duar fatin për ta ndryshuar vendin
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim në njësinë 4 në kryeqytet.
“Një nga gjërat kryesore që diskutojmë sot me njerëzit është që ndihen shumë të lodhur politikisht, ndihen të mërzitur, të varfëruar. Është ideja që nuk ndryshon ky vend. Ky vend ndryshon. Problemi është që ne duhet të marrim në duar fatin për ta ndryshuar dhe në shumicën e rasteve ne gjithmonë ia lëmë në dorë politikës kur në fakt jo gjithmonë politika është ajo që e ndryshon, janë njerëzit, janë qytetarët, janë të rinjtë, të rejat”, tha Kryemadhi.
“Politika në shumicën e rasteve mundohet t’i mbulojë gjërat. Ka ardhur koha që sot asnjë nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë. Çdo njeri duhet të mbajë përgjegjësi për firmën që hedh në emër të qytetarëve të Tiranës apo të gjithë Shqipërisë. Sot përgjegjësia nuk është thjesht mediatike, por secili nga ne duhet të marrë përgjegjësi individuale dhe të drejtpërdrejtë për çdo veprim që bën”, u shpreh ajo.
“Ajo në të cilën ne duam të fokusohemi sidomos dhe te qarku i Tiranës si një nga me të populluarat, është funksionimi, konsolidimi dhe fuqia ekonomike që duhet të kenë familjet e reja. Një familje e re nëse nuk do të ketë arsim të garantuar, shëndetësi të garantuar për fëmijët do ta ketë shumë të vështirë ndërtimin e të ardhmes së saj këtu”, theksoi Kryemadhi.
Fraksion.com