Di Maio: Europa të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve
“Europa duhet të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve”, u shpreh sot ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, i cili po viziton rajonin e Puglias me rastin e 30-vjetorit të mbërritjeve të para të shqiptarëve në brigjet italiane në vitin 1991.
Di Maio tha se, “sot jemi këtu për të kujtuar zbarkimet e para të miqve italianë këtu në Puglia, të ardhur 30 vjet më parë pikërisht në këto ditë. Puljezët dhe do të thosha të gjithë italianët ruajnë akoma në memorie imazhet e të gjithë atyre personave të shtrënguar me mijëra njëri me tjetrin mbi anije fatlume”.
“Për shumë shqiptarë Italia do të thoshte para së gjithash liri dhe shpresë për një jetë më të mirë. Nuke dimë me saktësi sesa shqiptarë arritën brigjet puljeze në ato muaj dramatikë të 1991-it, sigurisht disa dhjetëra mijëra. Vetëm anija ‘Vlora’ që mbërriti në portin e Barit në gushtin e 1991-it transportonte 20 mijë njerëz. Të gjitha ata, ashtu si mijëra bashkëkombas të tyre të mbërritur në muajt pasardhës gjetën strehim dhe mikpritje. Mobilizimi popullor i puljezëve ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre në anën tjetër të Adriatikut ishte e mahnitshme dhe ende sot pas 30 vitesh na mbush me krenari”, theksoi Di Maio.
“Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali janë sot rreth 500 mijë e japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë. Për këtë jam sot këtu me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, mik vëllazëror dhe i sinqertë i Italisë dhe me presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, për të kujtuar ato momente kaq domethënës dhe prekës që kanë kontribuuar për të bashkuar akoma më shumë popujt tanë, duke na çuar të mendojmë edhe tek e ardhmja”, tha Di Maio.
Dhe në fakt, u shpreh ai, “pikërisht në këtë kuadër mori fillim afrimi progresiv i Shqipërisë drejt Europës. Një afrim që Italia dhe unë personalisht e kemi mbështetur dhe inkurajuar gjithmonë me urimin që negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE-në të hapen më në fund gjatë këtij viti”.
“Teksa veprojmë për t’i dhënë perspektiva gjithnjë e më konkrete këtij rrugëtimi, në planin bilateral kemi ndërtuar një raport unik dhe të thellë mbi të gjithë pikëpamjet, tregtar, kulturor dhe social”, tha Di Maio.
“Megjithëse 2020 ishte një vit i vështirë, Italia u konfirmua partneri i parë i Shqipërisë me 31,4 % të shkëmbimit tregtar komplesiv, të barabartë me 2,2 miliardë euro. Mendoni rreth 20 % të PPB-së së Shqipërisë”, shtoi Di Maio.
“Nga pikëpamja kulturore afërsitë dhe bashkëpunimet tona janë të panumërta, dua të përmend mbi të gjitha bashkëpunimin aktual mes “Puglia Film Commission” dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, drejtori i së cilës, Ilir Butka ishte një ndër shumë shqiptarët të mbërritur 30 vite më parë mbi njërën prej atyre anijeve të zbarkuara në Brindisi”, Di Maio.
“Sot kemi shumë për të kujtuar dhe festuar, duam ta bëjmë jo në mënyrë retorike apo nostalgjike, por duke parë të sigurt drejt të ardhmes”, u shpreh ai.
“Rrugëtimi ynë i bashkëpunimit dhe miqësisë vijon me hapa konkretë i dashur Edi dhe Italia mbështet në mënyrë të bindur Shqipërinë dhe për këtë mendojmë se Europa duhet të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve”, tha Di Maio.
Presidenti i rajonit të Puglias, Michele Emiliano u shpreh se, “të dy popujt kanë pasur dëshirë për njëri-tjetrin, për njohje të bazuar tek kultura, tek bukuria tek ndarja e problemeve dhe tek lufta për demokracinë për lirinë, një luftë e përbashkët për progresin ekonomik, mirëqenien. Të gjitha gjëra që kemi synim t’i bëjmë sërish në vitet që do të vijnë”.
“Kështu që këto ditë janë një impenjim, një betim nëse më lejoni të përdor këtë fjalë, për besnikëri ndaj vetes, ndaj ligjeve të pashkruara të njerëzve dhe sidomos për këtë miqësi të çmuar mes Italisë dhe Shqipërisë dhe nëse më lejoni edhe mes Puglias dhe Shqipërisë, që ne kemi ndër mend ta ruajmë si një e mirë shumë e çmuar”, tha ai.
Fraksion.com