A janë devijuar votat e pakicave jo serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit?
Përfaqësues të shumicës së pakicave jo serbe kanë kërkuar reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë për atë që ata e quajnë “manipulim” të Listës Srspka, për përkrahje të caktuar të disa deputetëve nga radhët e komunitetit boshnjak. Kjo për faktin që parti të caktuara të komuniteteve jo serbe morën vota në vendbanime ku jetojnë vetëm serbë. Me këtë po pretendohet se lista Srpska krahas 10 deputetëve të saj, po synon që në radhët e veta të ketë edhe deputetë të pakicave të tjera.
Gjueviq: Do të garantojmë vendet tona
Njohës të çështjeve juridike thonë se vendet e garantuara që iu takojnë komuniteteve joshumicë, pa u respektuar autenticiteti i votës, jo vetëm që e humbin kuptimin e tyre, por edhe bëhen pengesë serioze për funksionimin e demokracisë. Osman Gjueviq nga partia boshnjake “Nasa Iniciatijva” ka kërkuar reagimin e pranisë së ndërkombëtarëve për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Sipas tij, “parti të caktuara të komuniteteve të tjera morën vota në qytetet ku jetojnë vetëm serbët”. Ai ka thënë se kjo është shkelje e Kushtetutës së Kosovës, teksa ka paralajmëruar ndjekjen ligjore. “Ne do t’i përdorim të gjithë mekanizmat ligjor për të garantuar vendet tona. Ftojmë institucionet relevante dhe ndërkombëtarët që të reagojnë ndaj kësaj çështjeje dhe të sigurojnë që mos shkelen të drejtat tona të garantuara me Kushtetutë”, ka thënë Gjueviq.
Akuza për Listën Serbe
Disa parti boshnjake dhe rome kanë akuzuar drejtpërdrejt Listën Serbe se ka ndikuar në shtimin e votave për parti të caktuara vetëm që të shtrijë ndikimin e saj në Kuvend, përtej 10 ulëseve të veta. Partitë e pakicave jo serbe organizuan një marsh në kryeqytet duke kundërshtuar kështu synimet e Listës Srpska. Ata thonë se Lista Serbe e udhëhequr nga Goran Rakiq ka vënë qëllim që të mbledhë vota për tri subjekte politike të komuniteteve tjera jo pakicë, një boshnjake, një rome dhe një gorane në mënyrë që të llogarisin me tre deputetët e tyre në Kuvend krahas 10 deputetëve të saj që i ka të garantuar.
Balje: E rrezikshme për Kosovën dhe komunitetet
Partia Komuniteti i Bashkuar UZ-AH i Adrijana Hoxhiq, Iniciativa Rome (RI) e Gazmend Salijeviq nga Graçanica dhe Partia Unike e Goranëve e Adem Hoxhës do të kenë nga një deputet në Parlament në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kryetarja e Unionit Socialdemokrat Duda Balje që vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, ka thënë se partitë e sipërpërmendura janë në linjë me Listën Serbe. “Koalicioni VAKAT ka afër 1000 vota nëpër komuna serbe, kurrë nuk ka pasur deri tash. Edhe është shumë evidente ata janë pjesë e planit Lista Serbe, Adrijana Hoxhiq nuk ka pasur më shumë se 700 vota të boshnjakëve. Më shumë se 6000 vota ka pasur nga serbët nëpër komuna serbe. Unë do të bëj ankesë në Gjykatë Kushtetuese dhe PZAP për shkak se ata kanë shkelur kushtetutën dhe unë mendoj se kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe komunitetet në Kosovë” , tha gjatë marshit protestues Duda Balje.
Për tri ulëset e garantuara për komunitetin boshnjak në Kuvendin e Kosovës, kanë garuar pesë subjekte politike boshnjake: Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Jonë dhe Komuniteti i Bashkuar që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhiq. Sipas rezultateve të zgjedhjeve më së shumti vota nga këto subjekte ka marrë Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq. Ky subjekt ka siguruar një ulëse të garantuar në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu edhe Koalicioni Vakat ka siguruar një ulëse të garantuar në Kuvendin e Kosovës. Dhe një ulëse të garantuar për komunitetin boshnjak e ka marrë edhe Partia e Re Demokratike (NDS).
Akuzat se partia Komuniteti i Bashkuar boshnjak ka bashkëpunuar me Listën Srpska i ka hedhur poshtë udhëheqësja e këtij subjekti politik Adrijana Hoxhiq dhe përfaqësues të Listës Srpska. Hoxhiq thotë se nuk ka pasur asnjë marrëveshje me Listen Serbe, siç është pretenduar ditëve të fundit nga përfaqësues politikë të pakicave në Kosovë. “Nuk jemi marrë vesh që me na sjellë votat. Lista Serbe është legjitime në Kosovë. Nuk është e vërtetë që kam marrëveshje me Listën Serbe. Bashkëpunimi im me përfaqësuesit e Listës Serbe në komunën e Mitrovicës Veriore nuk e ka dëmtuar asnjë komunitet. Nëse unë marr besimin e qytetarëve, do të punoj vetëm për interesat e komunitetit tim e komuniteti im është komuniteti boshnjak”, ka thënë Adriana Hoxhiq.
Vjosa Osmani: Kemi ndërhyrje të drejtpërdrejt të shtetit serb
Shqetësimin për ndërhyrjen e Beogradit zyrtar përmes Listës Srpska në procesin zgjedhor në Kosovë e ka shprehur edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se “në zgjedhjet e 14 shkurtit, tek votat e komuniteteve kemi ndërhyrje të drejtpërdrejt të shtetit serb”. “Për fat të keq, ndërhyrja nuk mund të reduktohet këtu në ndërhyrje të Listës Serbe, kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Vuçiqit, pra është ndërhyrje e një shteti, pra shtetit serb në një proces elektoral të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, gjë që ndalohet edhe me drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Vjosa Osmani, duke shtuar se ajo këtë shqetësim e ka shprehur edhe te komuniteti ndërkombëtar. “Unë e kam shprehur këtë shqetësim në kontaktet e mia me Uashingtonin, Berlinin e Brukselin, por edhe me kryeqytetet e tjera, sepse kjo shkon përtej zhvillimeve tona të brendshme dhe tregon për një qasje destabilizuese të Serbisë në rajonin tonë”, thotë Osmani. Vjosa Osmani thekson se, “komunitetet do të ankohen sepse u është shkelur e drejta e tyre. Kjo duhet të ndodhë kur të certifikohen rezultatet”.
Për ekspertë të çështjeve juridike është e rrezikshme për demokracinë nëse ndodh që Lista Serbe, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, të ketë ndikim tek deputetët e pakicave jo serbe. Ehat Miftaraj, drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se vetë fakti që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve dhe përfaqësim joadekuat i tyre. “Një lojë politike mes Listës Serbe me parti të caktuara, qoftë boshnjake, qoftë rome e cënojnë në rend të parë rendin kushtetues të Republikës të Kosovës, i cenojnë parimet bazë me të cilat Republika e Kosovës përmes Kushtetutës iu garanton komuniteteve joshumicë në Kosovë të drejtën për t’u përfaqësuar nga përfaqësues legjitim, që pasqyrojnë interesin, vullnetin e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Me vetë faktin që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, kjo me të vërtetë është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve, është jopërfaqësim efektiv dhe adekuat i interesave të tyre”, shkroi Ehat Miftaraj në profilin e tij facebook.
Ndërkohë 48 organizata joqeveritare të komuniteteve joserbe në Kosovë, në një komunikatë të përbashkët për mediat kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ato thonë se ekzistojnë përpjekje që të uzurpohen vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Sipas tyre, përpjekja për të uzurpuar vendet boshnjake në Kuvendin e Kosovës me vota nga komunitetet e tjera, është një veprim flagrant i shkeljes së dispozitave kushtetuese dhe të drejtës së një populli joshumicë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre që do të mbrojnë interesat e tyre.
Pas çertfikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këto organizata joqeveritare të pakicave jo serbe dhe përfaqësues të pakicave boshnjake dhe rome kanë paralajmëruar se do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, nëse mekanizmat paraprakë që janë në kuadër të KQZ-së nuk sanksionojnë siç thonë “devijimin e votës për komunitetet jo shumicë që kanë vendet e garantuara në kuvendin e Kosovës”. Ato u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente në vend që të adresojnë problemin dhe të anulojnë mandatet jokushtetuese, si dhe u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të huaj diplomatikë në Kosovë që të përfshihen në zgjidhjen e këtij problemi./DW
Fraksion.com