AktualitetBota+Të fundit

SHBA mban në arrest fëmijët migrantë përtej kufirit ligjor

Fëmijët e pashoqëruar që kalojnë kufirin nga Meksika po mbahen nga patrulla kufitare e SHBA-së për 77 orë mesatarisht, pesë orë më shumë se kufiri ligjor, tregojnë të dhënat zyrtare të regjistruara nga media amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke cituar dokumente të brendshme, CNN raportoi dje se fëmijët e pashoqëruar po dërgohen në paraburgim në SHBA “në nivele përtej” kapaciteteve të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) për t’i strehuar ata për shkak të kapacitetit të kufizuar të strehimit mes shpërthimit të koronavirusit (COVID-19).

Në 21 ditët e fundit rreth 340 fëmijë të pashoqëruar që kaluan kufirin u morën nga patrulla kufitare, sipas dokumenteve të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit.

Koha mesatare në ambientet e paraburgimit, të cilat nuk kanë për qëllim të mbajnë fëmijë, ishte 77 orë, pesë orë më shumë se kufiri ligjor prej 72 orësh, thuhet në dokumente.

Pasi merren në kujdestari nga patrulla kufitare, fëmijët e pashoqëruar dorëzohen në HHS.

“Në Yuma të Arizonës, kishte më shumë se 600 persona të të gjitha moshave, në paraburgim në një hapësirë ​për 104 persona”, tha kanali i lajmeve. “Ndërkaq në Luginën e Rio Grande, më shumë se 2.000 persona ishin në paraburgim në një hapësirë ​​për 715 persona. Numrat mund të luhaten çdo ditë”, thuhet më tej.

Sekretari i Sigurisë së Brendshme, Alejandro Mayorkas të hënën e quajti situatën e kufirit një “sfidë stresuese”.

“Kjo është arsyeja pse, sinqerisht, ne po punojmë aq shumë, jo vetëm në adresimin e urgjencës së sfidës, por edhe në ndërtimin e kapacitetit për ta menaxhuar atë”, tha Mayorkas, i cili mori postin muajin e kaluar.

 

Fraksion.com