AktualitetRajoniTë fundit

Në Maqedoninë e V. rritet numri i rasteve me COVID-19

Maqedonia e Veriut të enjten ka regjistruar numër të lartë të personave të infektuar me koronavirusin e ri. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga testimi i 3.323 mostrave, me COVID-19 kanë rezultuar 721 persona, nëntë persona e kanë humbur jetën, ndërsa 1,753 pacientë janë shëruar.

“Gjithsej jetën e kanë humbur nëntë persona. Nga tre persona kanë humbur jetën në Shkup dhe Kumanovë dhe nga një në Prilep, Veles, Kriva Pallankë dhe Vallandovë. Tetë nga këta persona kanë humbur jetën në kushte spitalore ndërsa një tjetër në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë kryer më shumë 533 mijë teste për COVID-19 dhe nga kjo shifër, me koronavirus janë infektuar 105.269 persona, numri i viktimave ka arritur në 3.165, i të shëruarve mbi 93.942, ndërsa raste aktive janë 8.162 persona.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ndërkohë ka komentuar reagimet e publikut dhe opozitës se qeveria nuk ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe kjo është arsyeja pse shteti ende nuk ka vaksina kundër COVID-19. Kreu i qeverisë tha se mungesa e vaksinave nuk ka të bëjë me punën e qeverisë, por me vonesat në dërgimin e tyre nga kompanitë prodhuese.

“Kjo nuk ka të bëjë me mungesën e seriozitetit tonë në prokurimin e vaksinave. Unë dua të siguroj qytetarët se ne si qeveri kemi bërë më shumë sesa kemi nevojë, për të siguruar sasitë e nevojshme të vaksinave. Marrëveshja nga Pfizer ka arritur, deri në fund të marsit ne do të marrim 21.000 doza të vaksinave. Në tremujorin e dytë të vitit do të marrim sasi më të mëdha”, ka deklaruar Zaev.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut deri më tani ka porositur 2.5 milionë doza të vaksinave nga prodhues të ndryshëm dhe një milion qytetarë duhet të vaksinohen për imunizimin e popullatës.

Maqedonia e Veriut deri tani ka pranuar rreth 8.000 vaksina si donacion nga Serbia dhe ato po shfrytëzohen për vaksinimin e personelit mjekësor.

 

Fraksion.com