“Kishin mbyllur specializimet për 4 vite”; Rama; Sot 1700 specializantë të rinj që përmbushin kërkesën e spitaleve
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, sot ne kemi 1700 specializantë të rinj, teksa qeveria e mëparshme kishte mbyllur për 4 vite specializimet në shëndetësi.
Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Rama u shpreh se “është momenti për t’u thënë atyre që të infektuar nga burimet djallëzore të dizinformimit përsërisin e përsërisin se kanë ikur mjekët, kanë ikur infermierët, s’ka më mjekë, s’ka më infermierë, se për hir të së vërtetës ne gjetëm vendin në një situatë absurde në këtë pikëpamje, pasi qeveria e mëparshme, ata që sot, ju thonë se me ta shëndetësia fiton, nëse bëni atë që ju nuk do ta bëni, votoni për ta, kishin mbyllur specializimet për 4 vite me radhë”.
“Sot ne kemi 1700 specializantë të rinj duke përmbushur, kërkesën e spitaleve për burime njerëzore të reja”, tha Rama.
Ndërkohë që nga ana tjetër, nënvizoi kryeministri, “ne i dhamë fund historisë së punësimit të mjekëve, por sidomos të infermierëve me teserë partie me rryshfet, apo me rekomandim krushqie. Sot në sistemin tonë shëndetësor janë 1234 mjekë dhe 3500 infermierë dhe infermiere që janë punësuar nga testimi kombëtar përmes portalit që është hapur enkas për të garantuar pikërisht meritën, “Infermierë për Shqipërinë” dhe mjek “shëndetësia.gov.al”.
Fraksion.com