Humbi jetën në Infektiv; 27-vjeçarja nga Berati shkoi t’ju shërbente prindërve, por u infektua edhe vetë: Detaje…
Detaje të reja zbardhen sot në lidhje me vdekjen nga Covid-19 të 27-vjeçares nga qyteti i Beratit.
Burimet zyrtare të Spitalit Rajonal të Beratit konfirmojnë se e reja mbërriti në këtë spital në gjendje kritike për jetën.
Mjekja infeksioniste në Repartin Covid-19 të Spitalit Rajonal të Beratit, Etleva Vila ka deklaruar sot për mediat se Ariola Cakollari është paraqitur në Repartin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Berat në dt.25.02.2021,në orën 00:30 minuta dhe vajza ishte në gjendje të rënduar.
Mjekja Vila deklaron se vajzës i është dhënë ndihma e shpejtë, ju kryhen të gjitha ekzaminimet dhe nga skaneri ka rezultuar se 27-vjeçarja kishte 90% të mushkërive të prekura nga Covid-19. “Pasi konstatuam se gjendja e saj shëndetësore ishte kritike ne si mjekë konkluduam në nisjen e saj me urgjencë me autoambulancat e Spitalit Rajonal Berat drejt Spitalit Infektiv Covid-1 në Tiranë”, ka deklaruar mjekja Vila.
Duke marrë shkas nga rastet e shtuara të të prekurve me Covid-19 në qarkun e Beratit, mjekja Vila ka deklaruar se pjesa më e madhe e rasteve ka qenë e qëndrueshme dhe janë trajtuar në Repartin Covid-19 në Spitalin e Beratit, ndërsa rastet e rënduara janë dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Infektiv në Tiranë.
Fraksion.com