AktualitetPolitikëTë fundit

“Marrëveshja PD-LSI, asnjë vlerë juridike”; Balla: Basha është një kukull, nuk guxon të përshëndesë SHBA-në për Dvoranin

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, deklaroi sot se, marrëveshja mes PD dhe LSI nuk ka asnjë vlerë juridike.

Në një intervistë televizive, në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar dje mes PD dhe LSI, Balla tha se, “ajo marrëveshje nuk ka asnjë vlerë juridike”.

“Është njëlloj sikur të këpusësh një faqe gazete dhe t’ia çosh KQZ-së sepse në KQZ afatet e depozitimit të koalicioneve kanë përfunduar. Dhe e dyta, mesa kam parë nga mediat, ajo është një marrëveshje mes dy partish politike, që nuk ka asnjë vlerë juridike në parashikimet që bën Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor për ato që quhen koalicione zgjedhore”.

“Janë dy subjekte zgjedhore të ndryshme, por vlera juridike është zero. Kjo është e rëndësishme dhe më vjen mirë që LSI-ja procesin e çuarjes për skrap po e vazhdon sa kohë që nuk ka këllqe të përballet në 12 qarqet. Po dhe kjo është një çështje që duhet ta verifikojë KQZ-ja, sa kohë që ju e dini që një subjekt zgjedhor duhet të garojë në të gjitha qarqet. Teknikat e variantit që një ballist do të vishet si partizan dhe do të hyjë në listën e njërës parti apo tjetrës pastaj është teknika të cilat nuk i bëjnë nder asnjë partie politike. Të fshehësh një kandidat të LSI në listën e PD apo anasjelltas nuk besoj se është modeli i duhur, megjithatë është çështje e tyre”, tha Balla.

Në lidhje me përvjetorin e protestës së 2 marsit të organizuar vitin e shkuar nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, Balla tha se, “gjithmonë sa herë kishte protestuar opozita dhe i referohem partisë kryesore në opozitë, PD, protestuesit e saj mbanin gjithmonë flamurin amerikan në dorë. Nuk e di kush e ka dhënë porosinë që t’u hiqej protestuesve flamuri amerikan dhe ta merrte vetëm Ilir Meta”.

Balla theksoi se, “ajo që më bën habi është paburrëria e Lulzim Bashës të shprehet ose të japë një opinion si kryetar i PD, ajo që ka qenë dikur PD në Shqipëri, për dy çështje të rëndësishme. E para është vlerësimi nga ana e Sekretarit Blinken të një gjyqtari shqiptar, si kampion i luftës kundër korrupsionit. Dhe është një nder për Shqipërinë, nuk duhet ta fshehim që një gjyqtar shqiptar pas 30 vitesh tashmë merr këtë vlerësim. Nuk e ka pasur kurrë një përfaqësues i togave të zeza të Shqipërisë këtë vlerësim. Dhe ajo që më bie në sy është që partia kryesore e opozitës, dikur ajo PD e madhe që erdhi me thirrjen “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, sot më falni për mungesën e një fjale tjetër në shqip, është e zbythur përpara këtij Presidenti dhe PD nuk guxon të marrë një hap dhe të përshëndesë SHBA-të”.

“Dhe pastaj situata e PD bëhet më e rëndë përballë Presidentit në momentin që PD nuk bën qoftë edhe një distancim, nuk po them një kundërshtim, po një distancim nga deklarata e Presidentit sipas të cilit Ilir Meta mund të marrë për veshësh Sekretarin e Shtetit Amerikan”, tha Balla.

“Në këtë moment t’i kupton që në fakt udhëheqësi i kësaj opozite nuk është Lulzim Basha. Lulzim Basha është një kukull, ndërkohë që komanduesit e kësaj kukulle njëri fshihet në Presidencë dhe tjetri fshihet në kullën 24-katëshe përballë Presidencës”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se, “të marra të dyja së bashku tregon që ne në Shqipëri kemi një situatë të vështirë me mungesën e një opozite reale”.

“Por ajo që është më e rëndë është se për gjithë sa thashë më sipër, është e papranueshme që në 2021-in Shqipëria të ketë një President Republike që bie ndesh me aspiratën e më shumë se 90 % të shqiptarëve, të cilët e konsiderojnë SHBA-në si partneri ynë më i rëndësishëm strategjik dhe që bie ndesh edhe me faktin që pas 30 vitesh PD që në vitin ’91-’92 në zyrat e saj i merrte orientimet nga ambasadori amerikan Rajerson, sot PD mbështet, ose ka në krye të saj “de facto”, Ilir Metën, i cili shprehet se do të kapë për veshësh dhe do të varë në ajër amerikanët qofshin këta në Shqipëri apo në Departamentin e Shtetit”.

“Mua më vjen keq për degradimin personal të Ilir Metës. Unë nuk e di çfarë janë këto hip-hope të tij, këto amplituda kaq të mëdha. Mbaj mend dikur 2-3 muaj përpara miratimit të reformës në drejtësi ka pasur një ngjarje të tillë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, në një nga mbledhjet mos gaboj, ose të Byrosë ose të Konferencës së Kryetarëve, një shpërthim të Ilir Metës kundër SHBA-ve. Asokohe ajo nuk u bë publike, kjo është e vërtetë në fakt. Por këto lloj shpërthimesh kundër SHBA-ve, të them të drejtën më kujtojnë rastin e ish-kryetarit të Parlamentit rumun, i cili u fut në listën e zezë të SHBA-ve, një ditë pasi u shkarkua si kryetar i Parlamentit rumun, për shkak se u arrestua”, tha Balla.

Balla u ndal edhe tek skenarët pas zgjedhjeve.

“Është shumë e qartë që subjekti zgjedhor, në termat e Kushtetutës aktuale, i parë, ka të drejtën e nominimit të kandidatit për kryeministër”, tha Balla, duke shtuar se, “i vetmi ndryshim që kemi bërë ne është në rastin e mocioneve. Pra që të shkarkosh një qeveri ë
në detyrë duhet të garantosh përpara 71 numra”.

“Unë po e them në këtë studio që LSI-ja nuk i kalon pesë mandate, mbajeni shënim dhe më ftoni në natën e tretë ose të katërt pas zgjedhjeve. Mos ia lodhni mendjen shqiptarëve për këtë çështje”, tha Balla.

“Kushtetuta me ndryshimet e reja kushtetuese, subjektin zgjedhor koalicion-partish e njeh si një subjekt që garon me të njëjtën listë zgjedhore. Marrëveshje politike pa vlerë juridike në KQZ, Kushtetuta nuk i njeh sot”, u shpreh Balla, duke shtuar se, “noteri i aleancave zgjedhore, i koalicioneve zgjedhore është vetëm KQZ-ja”.

“Në kontekstin aktual të përbetimeve të Ilir Metës, ne kemi qenë të gatshëm ta prishnim aleancën me LSI-në në 21 korrik, duke u gdhirë 22 korriku i 2016 si kusht i panegociueshëm nga ana jonë, miratimi i Reformës në Drejtësi”, theksoi Balla.

“Lulzim Basha, Ilir Meta, Sali Berisha janë bërë bashkë për t’i bërë dëm Reformës në Drejtësi”, tha Balla, duke theksuar se, “ajo që dua t’iu them është se lodhen kot. Kjo reformë sot është në një moment të pakthyeshëm. Asnjë politikan, sikur edhe të gjithë politikanët shqiptarë të bëhen bashkë, nuk mund ta zhbëjnë më këtë arritje historike të qytetarëve shqiptarë”, tha Balla.

“Reforma në Drejtësi po jep rezultatet e para. Institucionet e drejtësisë në Shqipëri po japin rezultatet e para. Nuk kemi parë ende politikanë të niveleve të larta, por unë gjithmonë e kam thënë, i referohem eksperiencës time në një vend që ka kaluar një fazë më herët se kjo, që kjo nuk do të vonojë, do të vijë shumë shpejt”, tha Balla.

 

Fraksion.com