Lirohet mjeku Edvin Prifti; Burg për gjykatësen Enkeleida Hoxha
Gjykata e Posaçme e Apelit mbylli shqyrtimin e ankimeve për dosjen e Krujës dhe mjekun Edvin Prifti.
Mjeku u lirua nga burgu, ndërsa për gjykatësen Enkeleida Hoxha u dha masa “Arrest me Burg”.
Për të tjerët u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë.
Ashtu si gjykatësja e Krujës, edhe për avokatin Aldo Tabaku u vendos masa “Arrest me burg”.
Për mjekun u vendos masa pezullim nga detyra, ashtu siç është vendosur në mungesë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Gjatë seancës, avokatët kanë kërkuar ndryshim të masës së sigurisë. Avokati gjyqtares argumentoi se masa ndaj saj duhet të jetë më e butë, kjo për shkak se është nënë e dy fëmijëve dhe ka nevojë për përkujdesjen e saj. Edhe avokati i mjekut Prifti duke mohuar akuzat ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.
Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme i ka qëndruar të njëjtës kërkesë si në Shkallë të Parë, atë të vazhdimit të masave “Arrest me burg”.
Në saj të përgjimeve nga hetimet e SPAK gjykatësja Enkeleida Hoxha është përfshirë në një aferë korruputive bashkë me avokatin Aldo Tabaku dhe punonjës të tjerë të gjykatës.
Një skemë e mirëfilltë kriminale në Gjykatën e Krujës për të liruar të burgosurit kundrejt miliona eurove.
E kthyer në simbolin e gjyqtarëve që hapin dyert e burgut për të dënuarit e përjetshëm, Enkeleida Hoxha ra në rrjetat e SPAK së bashku me nëntë persona të tjerë që në bashkëpunim me njëri-tjetrin po tentonin të hapnin dyert e qelive për një tjetër të dënuar në Fushë Krujë.
Gjyqtarja , eksperti mjeko ligjor, avokati , kryesekretarja e gjykatës dhe familjarët e të dënuarit Saimir Petani, u bënë bashkë me qëllimin për t’i zbutur atij dënimin. Duke shfrytëzuar afrimitetin me Enkeleida Hoxhën, avokati Aldo Tabaku sipas përgjimeve të SPAK se ka ndikuar tek gjyqtarja Hoxha e cila nën këtë influence i zbriti të dënuarit 6 muaj burgim, për shumën e 6 mijë eurove.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët bëri kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.
Kurse emri i mjekut Edvin Prifti doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës. Ai mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u gjetur në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, për të cilat avokati, Henrik Ligori ka këmbëngulur se shuma prej eurosh që është gjetur në banesën e mjekut ka qenë shumë e fituar nga çmimet ndërkombëtare, ndërkohë që e ka lidhur kërkesën për arrestimin e tij me fushatën.
Top Channel ka siguruar edhe dosjen e përgjimeve mes avokatit Tabaku dhe personave të përfshirë në korrupusion.