AktualitetBota+Të fundit

BE dhe SHBA vendosin sanksione ndaj Rusisë

Në rastin e kritikut të helmuar të Kremlinit Navalny, SHBA vendosën sanksione kundër Rusisë. Edhe BE po zbaton masa të reja ndëshkimore për burgosjen e Navalnyt – megjithë paralajmërimet nga Moska.

Për shkak të mënyrës së veprimit kundër kritikut të Kremlinit Navalny, BE ka vendosur – siç është njoftuar – sanksione ndaj katër përfaqësuesve kryesorë të sistemit rus të ndjekjes gjyqësore dhe penale. Të prekurit janë Prokurori i përgjithshëm Igor Krasnow, Drejtori i Administratës së Burgjeve Alexander Kalaschnikow, Shefi i Komitetit Hetimor Alexander Bastrykin dhe Drejtuesi i Gardës Kombëtare, Viktor Solotow.

Tani e tutje atyre u ndalohet hyrja në BE; çdo pasuri e tyre ngrin. Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj shtetasve rusë të rangut të lartë për shkak të helmimit të Navalnyt vitin e kaluar. Navalny i mbijetoi këtij sulmi dhe u dërgua me avion në Gjermani, ku mori ndihmë mjekësore.

Pasi u shërua, ai u kthye në Rusi në mes të janarit, ku u arrestua për shkelje të kushteve të lirimit me kusht. Atë e dënuan përfundimisht me dy vjet e gjysmë në një kamp burgu.

Rusia i kritikoi sanksionet dhe kërcënoi me kundërmasa. Ata që përdorin sanksionet si mjet presioni politik duhet ta dinë: “Një politikë e tillë nuk do ta arrijë qëllimin e saj,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nga ana e tij, iu referua “parimit të reciprocitetit” të zbatueshëm në diplomaci.

 

Fraksion.com