AktualitetPolitikëTë fundit

Vijon vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç: Sot mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer; Brenda dy javëve të para të marsit 14 mijë doza nga AstraZeneca

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ishte dje në Qendrën e Vaksinimit në Arenën Kombëtare, ku po vijon vaksinimi i gjysheve dhe gjyshërve +80 vjeç.

Rama tha se “nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve”.

“Ajo që mbetet sfida është të sigurojmë një sasi të konsiderueshme vaksinash dhe shpresoj të kemi lajme të mira shumë shpejt. Kontaktet janë të vazhdueshme dhe duket mirë, por mos të flasim para kohe”, tha Rama.

Ndërsa ministrja Manastirliu vuri në dukje se “sot kemi vijuar me vaksinimin e grupmoshës +80 vjeç, duke futur fashën +90 vjeçare të parën. Ndërkohë që vijojmë vaksinimin e stafeve mjekësore. Dhe në total së bashku me planifikimet sot arrijmë në mbi 13 mijë vaksinime. Tashmë ka filluar vaksinimi edhe në Korçë, në Vlorë, në Shkodër, në Elbasan, dhe në qendra të tjera”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë duke u përgatitur vaksinatorët e rinj, të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin, për të vijuar me vaksinimin kapilar.

“Jemi duke u përgatitur për vaksinatorët e rinj, pra për infermierët të cilët do të kryejnë në Arenën Kombëtare trajnimin, që më pas të shpërndahen në të gjithë vendin. Janë të rinj të cilët janë përzgjedhur nga portali, por edhe studentë, dhe forcat e armatosura, për të filluar vaksinimin kapilar në momentin që do të kemi edhe vaksinat”, tha Manastirliu.

Duke i’u referuar ardhjes së dozave të tjera të vaksinës Manastirliu bëri me dije se, “ndërkohë ne presim 15 mijë vaksina ditën e nesërme. Dhe brenda 10 ditëshit të parë 14 mijë vaksinat e AstraZeneca nga instrumenti COVAX, ku do të fillojmë vaksinimin edhe nën 65 vjeç, sigurisht me targetin e përcaktuar nga ISHP”.

 

Fraksion.com