“Në udhëkryq mes të ardhmes dhe të shkuarës”; Rama: Do kandidoj edhe në Durrës
Kryeministri Edi Rama konfirmoi se do të jetë në listën e Durrësit për zgjedhjet e 25 Prillit.
Rama tha gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e rinj të PS se ky mandat i tretë do të jetë i veçantë për Durrësin si potencial që nuk është shfrytëzuar siç duhet.
“Unë do të jem pjesë e skuadrës edhe në Durrës dhe ky mandat i tretë do të ketë vëmendje të veçantë për Durrësin si porta kryesore e Mesdheut në Shqipëri, si një pol i pazëvendësueshëm ekonomik së bashku me Tiranës, si një potencial i pashfrytëzuar shfrytëzimi për gjithë Shqipërinë dhe si vendi ku na duhet të fitojmë sfidën e madhe e zhdukjes së pasojave e tërmetit.
Sot jemi në një udhëkryq mes të ardhmes dhe të shkuarës në një punë që vazhdon, një punë që duhet kryer dhe askush nuk e bën më mirë se ne dhe pse ne nuk jemi më të mirët.”, tha Rama
Përveç Vlorës, kryesocialisti do të jetë edhe në listën e Durrësit dhe kjo lidhet me faktin se qyteti bregdetar ishte më i prekuri nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Në këtë qytetet pritet të zhvillohet edhe beteja më e fortë elektorale për zgjedhjet parlamentare, pasi opozita do të luajë fort me kartën e rindërtimit të pasojave të tërmetit, që sipas tyre nuk është mbajtur nga qeveria e majtë.
Ndërsa në listën e PS-së, pritet të jenë Lefter Koka, ish-deputeti i LSI dhe Ardian Çela drejtori i OSHEE.
Fraksion.com