“20:00 deri në 06:00”; Masat ani COVID: A do të ndryshojë sot ora policore?
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka njoftuar se do të mblidhet sërish sot, ku me shumë gjasë do të bëjë publike masat e reja anti Covid për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Kjo mbledhje vjen pak ditë pas njoftimit që anëtarët e Komitetit dhanë për qytetarët, duke u shprehur se masat do të vijojnë të jenë të njëjtat, pasi numri i të infektuarve është normalizuar.
Por mjekë dhe specialistë në vend, kanë kërkuar ditët e fundit shtim të masave pasi sipas tyre, situata po del jashtë kontrollit.
Kjo është mbledhja e dytë në pak ditë që është njoftuar nga anëtarët e Komitetit, të cilët në daljen e tyre të fundit nuk ndryshuan asnjë nga masat e vendosura së fundmi.
Me rregullat e vjetra në fuqi, ora policore është në 20:00 deri në 06:00 dhe nuk dihet nëse do të ndryshojë sot.
Në këtë orar mbyllen edhe baret dhe restorantet të konsideruara si vatra kryesore të përhapjes së COVID, ndërsa mësimi vijon online në 10 bashki të konsideruara me rrezik të lartë.
Sakaq edhe fluturimet nga/në Britaninë e Madhe, ku dhe është shfaqur varianti i ri i koronavirusit janë të ndaluara.
Masat në fuqi:
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
– Universitetet vijojnë online
– Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe
Që prej fillimit të pandemisë, deri më tani në Shqipëri janë infektuar 107,167 persona, ndërkohë që kanë humbur jetën 1,796 të tjerë.
Fraksion.com