AktualitetRajoniTë fundit

Ish-kreu i Sigurisë Kombëtare Sasho Mijallkov dënohet me 12 vjet burgim

Gjykata Penale në Shkup shqiptoi dënimet për 11 të akuzuar për përgjimin e paligjshëm të mbi 4.000 numrash telefoni, apo rreth 20.000 vetësh, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla.

Disa nga të paditurit u dënuan me heqje lirie, të tjerë me dënim me kusht. Ish-drejtori i Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, u dënua me 12 vjet burgim.

“Të akuzuarit shpallen fajtorë për përgjim masiv të paligjshëm, me një qëllim të vetëm dhe motiv për të vendosur kontroll të plotë politik, ekonomik dhe kontroll të përgjithshëm në jetën e përditshme duke shkelur të drejtat elementare të njeriut. Të dëmtuarit janë politikanë, gazetarë, personalitete nga jeta politike ekonomike e biznesi që kanë ndikim në shoqëri. Ata kishin për qëllim të kishin kontroll mbi të gjithë, jo vetëm mbi kundërshtarët politikë, por mbi të gjithë ata që kanë ndikim, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Penale në Shkup.

Përgjimet janë kryer përmes pajisjeve dhe sistemit që ekzistonte në Ministrinë e Punëve të Breshme për ndjekjen e komunikimeve. Kur afera përgjimeve u bë e njohur të pandehurit i shkatërruan pajisjet e përgjimit duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej më shumë se një milion euro”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Dënohet edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, dy drejtues të lartë në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit janë dënuar me nga 15 vjet burgim.

Ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska u dënua me 4 vjet burgim.

Menjëherë pas shqiptimit të dënimeve për të akuzuarit, prokurorja e rastit Lençe Ristovska kërkoi që arresti i shtëpisë ndaj Mijallkovit të zëvendësohet me paraburgim efektiv.

“Në tërësi jemi të kënaqur nga vendimi ngase u konfirmuan të gjitha pretendimet e prokurorisë. Në lidhje me paraburgimin, kemi vlerësuar se ekzistojnë baza për paraburgim ngase ekziston mundësia e arratisjes, ndërsa sot kemi elaboruar edhe paralajmërime tjera për ikje të mundshme”, ka thënë Ristovska.

Gjykata pranoi propozimin e prokurores Lençe Ristovska që të akuzuarit Sasho Mijallkov t’i ndërpritet arresti i shtëpisë dhe ky të zëvendësohet me paraburgim efektiv. Kështu që Mijallkov pas kësaj seance gjyqësore u dërgua në burgun e Shutkës.

Afera e përgjimeve ishte zbuluar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte në opozitë./DW

 

Fraksion.com