Demokratët duan që Bideni të heqë dorë nga autoriteti i vetëm për nisjen e një sulmi bërthamor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili është gjithmonë i shoqëruar nga një ndihmës ushtarak që mban një çantë që ka brenda kodet për armët bërthamore, ka autoritetin e vetëm të urdhërojë një sulm bërthamor ose t’i përgjigjet armikut ndaj një sulmi të tillë.
Ligjvënësit e partisë demokrate po i kërkojnë Presidentit Joe Biden të heqë dorë nga ky pushtet i njëanshëm.
Sipas një letre të miratuar nga 31 ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhënia e një autoriteti të tillë një personi “mbart rreziqe reale”. “Presidentët e kaluar kanë kërcënuar të sulmojnë vendet e tjera me armë bërthamore ose kanë hasur në sjellje që i ka bërë zyrtarët e tjerë të shprehin shqetësime në lidhje me gjykimin e presidentit”.
Letra, e hartuar nga ligjvënësit Jimmy Panetta dhe Ted Lieu, të dy nga Kalifornia, bën thirrje që zyrtarë të tillë si nënpresidenti dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, të pajtohen me një urdhër të tillë përpara se ai të ndërmerret.
“Kolegët e mi dhe unë po kërkojmë një rishikim të drejtpërdrejtë të strukturës së komandës dhe kontrollit bërthamor të vendit tonë për të përcaktuar se si mund të kemi një autoritet më të sigurt të lëshimit të armëve bërthamore, për të mos rrezikuar dhe për të rritur dhe forcuar sigurinë tonë kombëtare”, tha zoti Panetta në një deklaratë për Zërin e Amerikës të enjten.
“Bazuar në përvojën dhe udhëheqjen e shquar të presidentit tonë për kontrollin e armëve bërthamore, për forcat bërthamore të vendit tonë, ne po rekomandojmë që ai të vazhdojë analizën e tij të menduar dhe profesionale të mënyrave për kontrolle dhe ekuilibra shtesë brenda strukturës të komandës bërthamore”.
Letra, e cila u dërgua në Shtëpinë e Bardhë të hënën, “propozon disa alternativa të tjera kundrejt asaj që presidenti të ketë autoritetin e vetëm, të pakontrolluar dhe përfundimtar për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore”, i tha Zërit të Amerikës Jeffrey Lewis, drejtor në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore pranë Institutit të Studimeve Ndërkombëtare Middlebury në Monterey të Kalifornisë. “Secila prej alternativave do të ishte më e mirë se marrëveshja aktuale”.
Më 8 janar, dy ditë pasi një turmë që mbështeste Presidentin e atëhershëm Donald Trump sulmoi Kapitolin, Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi u tha kolegëve të saj demokratë se kishte folur me shefin e Shtatëmadhorisë “në lidhje me parandalimin e një presidenti të paqëndrueshëm” për të urdhëruar një sulm me armë bërthamore.
“Situata e këtij presidenti të paqëndrueshëm nuk mund të jetë më e rrezikshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij i paekuilibruar ndaj vendit dhe demokracisë sonë,” tha zonja Pelosi në një letër.
Letra drejtuar presidentit Biden nga ligjvënësit demokratë, përfshirë dy anëtarë të Komisionit i Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, përmend zotin Trump me emër vetëm në shënime, si dhe përdor referenca lidhur me shqetësimet për stabilitetin mendor të Presidentit Richard Nixon pak para se të jepte dorëheqjen në gusht të vitit 1974.
“Meqenëse ka rreziqe të qenësishme në sistemin aktual, siç u bë e qartë nga ish-presidenti, është përgjegjësia jonë në Kongres të sigurojmë që administrata të zhvillojë këtë lloj rishikimi në mënyrë që të ketë një autoritet më të sigurt, më të kontrolluar të nisjes së një arme bërthamore ”i tha Zërit të Amerikës zoti Panetta.
“Argumenti i vjetër ishte se ishte e sigurt t’i jepej presidentit ky pushtet sepse zgjedhjet ishin mbrojtja përfundimtare,” tha zoti Lewis. “Zgjedhja e Trumpit tregon se në fakt, një person i papërshtatshëm, amoral dhe i rrezikshëm, mund të fitojë pushtetin në Shtetet e Bashkuara”.
Trumpi, gjatë një periudhe grindjesh me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, mburrej se butoni i tij bërthamor ishte “shumë më i madh” dhe “më i fuqishëm” sesa ai që zotëronte Kim Jong Uni.
Ndryshimi i propozuar po kritikohet nga tre anëtarë të shquar republikanë të Komisionit të Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në deklaratën e tyre, Liz Cheney, Mike Rogers dhe Mike Turner argumentojnë se “presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të ketë aftësinë ekskluzive për të komanduar dhe kontrolluar arsenalin tonë bërthamor. Përpjekjet e rrezikshme të demokratëve që sugjerojnë një ristrukturim të procesit tonë të komandimit dhe kontrollit bërthamor do të minojnë sigurinë amerikane, si dhe sigurinë e aleatëve tanë”.
Rekomandimet e demokratëve, “nëse miratohen, do t’i linin amerikanët të pambrojtur, do të destabilizonin ekuilibrin bërthamor dhe do të trondisnin besimin e aleatëve tanë”, thonë tre republikanët. “Vladimir Putini dhe Xi Jinping do të brohorisnin nëse Shtetet e Bashkuara do të miratonin një kufizim të tillë të njëanshëm”.
John Maurer, një studiues në Institutin American Enterprise, është gjithashtu i shqetësuar për ndryshimin e mënyrës se si një president mund të përgjigjet.
“Më e rëndësishme se shpejtësia është parashikimi,” tha zoti Maurer për Zërin e Amerikës.
“Frenimi i kundërshtarëve kërkon që ata të dinë se mbushjet bërthamore amerikane do të fluturojnë në rrethana të caktuara. Ndoshta më e rëndësishmja, është siguria e aleatëve amerikanë se armët bërthamore amerikane të fluturojnë në rrethana të caktuara në mbrojtje të tyre“.
Sipas zotit Maurer, i cili është gjithashtu profesor i strategjisë dhe studimeve të sigurisë në Shkollën për Studime të Avancuara të Hapësirës në Universitetin Air, “Ligji amerikan përmban tashmë dispozita që mund të kontrollojnë autoritetin e nisjes së një sulmi bërthamor nga presidenti.
“Nënpresidenti dhe Kabineti mund të pezullojnë kompetencat e një presidenti sipas Amendamentit të 25-të nëse ata janë vërtet të shqetësuar për gjendjen e tij mendore, e cila në mënyrë të efektshme pezullon aftësinë e tij për të filluar sulme bërthamore,” tha zoti Maurer.
“Oficerët ushtarakë amerikanë gjithashtu mund të refuzojnë kryerjen e urdhrave të paligjshëm. Një kontroll i plotë mbi autoritetin presidencial nuk ka gjasa të arrijë shumë më tepër sesa çbëjnë dispozitat ekzistuese”.
Zoti Maurer shtoi, “Nuk është e qartë të themi se një kontroll i autoritetit bërthamor të presidentit nga Kongresi do të ishte kushtetues. Kushtetuta përcakton që presidenti është komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, kështu që aftësia e Kongresit për t’i thënë atij se çfarë të bëjë me armët bërthamore nën kontrollin ushtarak mund të jetë e kufizuar”.
Ankit Panda, një bashkëpunëtor për politikën bërthamore në Institutin Carnegie Endowment, argumentoi se ndërsa autoriteti i vetëm kishte kuptim gjatë Luftës së Ftohtë, kohët dhe rrethanat kanë ndryshuar.
“Në mjedisin e pas Luftës së Ftohtë – dhe në veçanti, pas Presidentit Trump – autoriteti i vetëm shihet si një përgjegjësi,” i tha zoti Panda Zërit të Amerikës. “Shqetësimet e një sulmi të parë janë më pak të mprehta. Komanda dhe kontrolli janë të fuqishme dhe ende po modernizohen. Pra, Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të eksplorojë sjellje alternative”.
Asnjë zgjedhje, kur bëhet fjalë për autoritetin për lëshimin e armëve bërthamore, nuk do të jetë plotësisht pa rreziqe, pranon Panda, “por ne duhet të mendojmë se me çfarë lloj rreziku jemi të gatshëm të jetojmë kur bëhet fjalë për pozicionin tonë bërthamor ”
“Ndërsa ne nuk do të pranonim të komentojmë mbi specifikat e letrës, presidenti angazhohet në mënyrë të vazhdueshme me Kongresin për një sërë çështjesh,” u përgjigj një zyrtar i lartë i administratës të enjten vonë kur u pyet se si kishte gjasa t’u përgjigjej presidenti Biden kërkesës së ligjvënësve demokratë./voa
Fraksion.com