AktualitetPolitikëTë fundit

Basha viziton biznesin e madh në Durrës: Diversifikojmë prodhimin, ulim çmimin e energjisë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë vizitës në një biznes të madh prodhues në Durrës, iu tregoi sipërmarrësve shqiptarë se si do të ndryshojë për mirë situata e tyre pas 25 prillit me zbatimin e programit “Shqipëria fiton për Energjinë”.

Siç njofton PD, gjatë bisedës me pronarin e një fabrike në qytetin bregdetar, Basha shpalosi në detaje angazhimet e tij dhe planin për të kthyer ekonominë dhe biznesin në rrugën e normalitetit dhe të rimëkëmbjes.

“Në qoftë se ti energjinë e ke në kolaps, siç e kemi sot ne, harroje që mund të ecim përpara. Dhe ne kemi kolaps pikërisht për shkak të këtij mentaliteti dhe korrupsionit që dikton ky mentalitet. Saqë të thonë hajde të gjithë falu aty, nuk thonë kot. E dimë fare mirë. Eliminimi i këtyre lejeve, këtyre autorizimeve, i këtyre zyrtarëve anonimë që vijnë vërdallë dhe ju pengojnë punën tuaj do jetë hapi jonë i parë në kuptimin e reformës shtetërore administrative”, tha Basha.

“Hapi i dytë është që ne do të subvencionojmë qoftë përmes lehtësirave fiskale, por edhe subvencionime të drejtpërdrejta në mënyrë që kjo energji diellore të na kthehet në energji elektrike dhe të komplementojë energjinë hidrike. Kush do jenë përfituesit? Përfituesi i parë do jetë vetë shteti që është akoma pronari i KESH-it, i OSHE, i OST, i gjithë sistemit aktual të prodhim distribuimit. Pse? Kjo do na japë mundësinë ne që energjinë e prodhuar nga uji ta shesim në kuotën më të lartë, mundësisht në eksport”, tha Basha.

“Dhe këto janë para të cilat vijnë tek arka e shtetit dhe nesër paguhen mësuesit, doktorët, të papunët. Nesër ulen sigurimet e punonjësve të tu shkojnë në 18 %, ulet taksa jote shkon në 9 %, zerohet absolutisht gjithçka që ka të bëjë me ngritjen e linjave të prodhimit. Pra i pari që përfiton drejtpërdrejt është vetë shteti”, sqaroi Basha.

Përfaqësuesit e biznesit iu ankuan Bashës për centralizimin në çdo aspekt të ekonomisë duke kërkuar ndryshimin e kësaj situate në qeverisjen e ardhshme.

“Unë të garantoj që kjo do të marrë fund, për ty dhe për këdo tjetër që do t’i futet kësaj pune, apo që i është futur kësaj pune. Ju nuk do të keni nevojë të shkoni, por do t’ju vijnë këtu, madje as nuk kanë nevojë të vijnë, do ta bëjnë në mënyrë automatike që ju të jeni në gjendje që energjinë e prodhuar ta shisni menjëherë. Domethënë, energjinë e prodhuar nga panelet diellore, panelet diellore, instalimin e tyre ta bëni menjëherë”, tha Basha.

Basha u angazhua që situata e vështirë në të cilën ndodhet biznesi do të ndryshojë dhe me qeverinë e re, biznesi do të trajtohet si partner i rëndësishëm ku shteti do ketë rol mbështetës që ekonomia të zhvillohet dhe të krijohen hapësira për punësimin e shqiptarëve në vendin e tyre dhe jo të marrin rrugën e emigracionit për të gjetur mundësi jetese.

 

Fraksion.com