AktualitetPolitikëTë fundit

“Koncesioni për aeroportin, antikushtetues; Meta: Reagimet për vlerësimin e Dvoranit, si fletë lavdërimi

Presidenti Ilir Meta ktheu sot ligjin, që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” me 13 vjet, duke e konsideruar atë “shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës”.

Në një konferencë për mediet, Meta tha se ky vendim i qeverisë është në shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës, pasi shkel interesin e publikut dhe është mbajtur i fshehtë nga sytë e qytetarëve.

“Ky ligj dhe marrëveshja shtesë koncesionare që ka miratuar, ka nivelin me të lartë të antikushtetutshmërisë dhe për të keq edhe të “korrupsionit legjislativ”, në qeveri dhe në Kuvendin njëpartiak. Ky fenomen, pra “korrupsioni legjislativ”, është kthyer në mjetin e ri të mbulimit të përfitimeve klienteliste të fondeve dhe pasurisë publike, ku për çdo përfitim të dhuruar, miratojnë një ligj, për ta ligjëruar, u shpreh Meta.

Ai theksoi se vendimmarrja e ndjekur për shtesën arbitrare të koncesionit është kryer në kundërshtim me rregullat e shtetit shqiptar dhe në dëm të interesit të qytetarëve.

“Vendimarrja dhe procedura e ndjekur nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, për shtesën arbitrare të koncesionit të Aeroportit “Nënë Tereza”, është kryer në kundërshtim me të gjitha rregullat e shtetit shqiptar, në dëm të interesave të tij dhe të qytetarëve shqiptarë dhe për këto arsye, kjo Kontratë Shtesë Koncesionare është mbajtur e fshehur, larg syrit të publikut”, u shpreh Meta.

Sipas tij, në faqen zyrtare të Kuvendit, edhe sot, nuk është bërë publike ende kontrata shtesë e koncesionit, që është miratuar me ligjin nr. 16/2021, të datës 8 shkurt 2021.

Meta komentoi edhe vlerësimin e DASH për gjyqtarin dhe anëtarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani mes 12 Kampionëve Kundër Korrupsionit.

“Dua t’i them meqënëse dje kryeministri ka nxjerrë një fletë lavdërimi për antikorrupsionin e tij, kjo nuk më habit, përpjekja për t’u vetëlavdëruar dhe i Ramaformës, kjo është kapja e shtetit, kjo është shpk. Këto janë si fletët e lavdërimit që merrte Partia e Punës kur shqiptarët vdisnin për bukë në Shqipëri”, tha Meta.

I pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në dhe ambasadoren Yuri Kim, ai tha se janë të shkëlqyera.

“Raportet e Ilir Metës me SHBA janë të shkëlqyera. Se Ilir Meta, dhe me Europën, asnjëherë nuk gënjen e nuk mashtron. Nuk i keqpërdor për interesat e tij. Ilir Meta nuk ka shkelur asnjë ligj amerikan”, tha Presidenti.

Sipas Metës, populli vendos se kë do votojë.

“Nuk janë dele shqiptarët. Nëse ke drejtuar mirë populli do të votojë dhe nuk dëgjon presidentin, ama që të bëhemi Kore e Veriut dhe të brohorasim “bravo Shqipëria socialiste”. E kam thënë edhe më parë, Shqipëria ka qenë 50 vjet regjimi më brutal i tipit koreano-verior, tani ka përfunduar kjo histori”, tha Meta.

 

Fraksion.com