DASH i dorëzon certifikatën “Kampion Kundër Korrupsionit”, Ardian Dvoranit
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka dorëzuar certifikatën “Kampion Kundër Korrupsionit”, Ardian Dvoranit, i cili u shpall të martën nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, si një nga 12 kampionët në botë për luftën ndaj korrupsionit.
Ambasada e SHBA në Tiranë ka publikuar sot foton e marrjes së certifikatës së vlerësimit nga ana e gjyqtarit Ardian Dvorani.
“Sot, gjyqtari Ardian Dvorani mori certifikatën e tij të çmimit Kampion Kundër Korrupsionit, shpallur dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Nëpërmjet këtij Çmimi të sapokrijuar, Departamenti i Shtetit vlerësoi punën e guximshme të 12 avokatëve të luftës kundër korrupsionit nga e gjithë bota, përkushtimi i të cilëve për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe siguruar llogaridhënie, ka mbrojtur bashkëqytetarët e tyre dhe ka ekspozuar keqbërjen. Gjyqtari Ardian Dvorani nga Shqipëria ishte një prej këtyre kampionëve. Departamenti i Shtetit e vlerësoi Dvoranin për punën e tij në zhvillimin e mekanizmave për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë. Urime Ardian Dvoranit për përzgjedhjen si një Kampion Kundër Korrupsionit!”,- bën të ditur Ambasada Amerikane në Tiranë.
DASH vlerëson Ardian Dvoranin, gjyqtar dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si një figurë kryesore e reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE në mars për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë.
Gjykatësi Dvorani ishte gjithashtu një anëtar i rëndësishëm i grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi në Shqipëri, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të sapokrijuara të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në Shqipëri në 2016. Profesionalizmi i tij çoi në mbrojtjen kushtetuese të organit të ri antikorrupsion të Shqipërisë, Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Fraksion.com