AktualitetNATO/BETë fundit

Vaksina e AstraZenecas kundër Covid-19: e sigurtë si të tjerat?

Disa javë më parë, për dërgesat e para të vaksinës kundër Coronas të Astrazenecas bëhej luftë e ashpër midis BE dhe prodhuesit britanik-suedez. Tani ky preparat me sa duket po rri stok në lande të ndryshme të Gjermanisë.

Një arsye ka të ngjarë të jetë problemi i imazhit të vaksinës. Por, a është vaksina e Astrazenecës më pak efektive? Sipas Institutit Robert Koch (RKI), nga 736.800 doza vaksinimi të dorëzuara deri tani, vetëm 64.869 doza janë injektuar në të gjithë Gjermaninë. Në Brandenburg, për shembull, ende nuk është injektuar as një injeksion i vetëm i Astrazenecas. Shkak për t’u sjellë me kursim nuk ka, pasi furnizimi i ri pritet që këtë javë.

Sipas Ministrisë Federale të Shëndetësisë, Astrazeneca do të dorëzojë 736.800 doza të tjera vaksine, dhe më 27 shkurt një milion doza të tjera vaksine. Në tërësi pritet të dorëzohen rreth 5.6 milionë doza deri në 1 Prillin.

Montgomery: Efekti më i ulët “nuk mund të mohohet”

Sidoqoftë, ka padyshim pasiguri në lidhje me rezultatin e këtij medikamenti. Një rezultat prej rreth 70 për qind është shumë më i vogël se efekt i vaksinave të Biontech-ut dhe Modernas. Për më tepër, me vaksinën e Astrazenecas në Gjermani aktualisht do të vaksinohen vetëm njerëzit nën 65 vjeç, për shkak të mungesës së të dhënave për rezultateve në këtë grupmoshë.

Kryetari i Shoqatës Botërore të Mjekëve, Montgomery, shprehu mirëkuptim, për shembull, për personelin mjekësor që nuk dëshiron të vaksinohet me vaksinën Astrazeneca. Megjithëse kjo vaksinë është “po aq e sigurt sa të tjerat”, theksoi ai në “Rheinische Post”, “rezultati, efektiviteti më i ulët nuk mund të mohohet”. Prandaj Montgomery sugjeroi ofrimin e kësaj vaksine në fillim për njerëzit me përparësi më të ulët të vaksinimit.

Njerëzit anulojnë oraret e vaksinimit me Astrazeneca

Saarländischer Rundfunk raportoi se oraret e vaksinimit anulohen, sepse personat e thirrur për t’u vaksinuar nuk paraqiten. Ka raste të njohura në të cilat njerëzit kanë refuzuar ofertën për t’u vaksinuar me Astrazeneca, tha Ministria e Shëndetësisë në Saarbrücken. Zgjedhja e një vaksine të caktuar për t’u vaksinuar nuk është e mundur në Gjermani.

Si rregull, një vaksinë ofrohet në qendrën e vaksinimit. Kjo do të thotë që njerëzit mund të pyesin se cila vaksinë po përdoret, kur cakton orën e vaksinimit në telefon. Kjo shënohet gjithashtu në letrat e ftesës. Në Berlin, ju mund të kontrolloni faqen kryesore të Administratës së Senatit për të parë se cila vaksinë përdoret në cilën qendër vaksinimi. Me zgjedhjen e qendrës së vaksinimit, e cila është falas për të gjithë në kryeqytet, ju gjithashtu mund të zgjidhni njërën nga vaksinat e miratuara.

Raporte të shpeshta për efekte anësore

Edhe para se të aprovohej vaksina e Astrazenecës, kishte rezerva për arsye të ndryshme. Njerëzit e vaksinuar tani raportojnë disa efekte anësore të rëndësishme. Në disa rajone në Suedi, vaksinat me AstraZenecan janë ndaluar për momentin. Një në katër persona të vaksinuar kishte raportuar probleme.

Edhe në disa qytete në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, njerëzit ankohen për probleme pas vaksinimit. Ministria e Shëndetësisë e landit në Dyseldorf këshillon ata që preken të marrin medikamnte lehtësuese për uljen e dhimbjeve ose për të ulur ethet. Ankesat më të zakonshme ishin lodhja (53.1%) dhe dhimbja e kokës (52.6%), por edhe ethet janë gjithashtu të mundura(7.9%), raporton Westdeutsche Rundfunk, duke cituar Institutin Robert Koch.

Në landin e Saksonisë së Ulët vaksinimet me AstraZenecan u pezulluan në dy qytete

Kjo ndodhi pas ankesave nga punonjësit e klinikës për efekte anësore. Në një klinikë në Braunschweig, 37 nga 88 punonjësit që u vaksinuan të enjten nuk ishin përkohësisht në gjendje të punonin për shkak të “reagimit pas vaksinimit”. Vaksinimet e tjera tani do të pezullohen – edhe për të mos rrezikuar operacionet, tha një zëdhënëse. Edhe punonjësit në Klinikën Emden kërkuan pushim si të sëmurë pas vaksinimit.

AstraZeneca tha se kompania nuk shihte asnjë arsye për shqetësim. “Aktualisht, reaksionet e raportuara janë ato që ne prisnim bazuar në njohuritë e programit tonë të studimit klinik.”

Gjithçka në rregull në Suedi dhe Emden

Në Suedi ndërkohë u dha sinjali i mbarimit të situatës emergjente: u zhvilluan bisedime me autoritetin kombëtar të medikamenteve dhe prodhuesin dhe nuk ka asgjë që të thotë se ka diçka nuk shkon me vaksinën e furnizuar, tha rajoni Sörmland. Vaksinimet do të rifillojnë më vonë gjatë javës. Edhe në Klinikën Emden, ku përdorimi i vaksinës AstraZeneca u ndërpre përkohësisht, ajo do të injektohet sërish.

Ministri Federal i Shëndetësisë, Jens Spahn gjithashtu thotë që vaksina AstraZeneca është “shumë e efektshme”. “Po, unë do të vaksinohesha nëse do të më ofrohej një vaksinim – posaçërisht me AstraZenecan. Kemi të bëjmë me një vaksinë të sigurt dhe efektive,” tha ai. Vetëm në rastin e të ashtuquajturit mutacion të virusit Afrikës së Jugut B.1.351 ka të dhëna për mbrojtje më të ulët.

Virologu i njohur, Christian Drosten nga spitali Charité i Berlinit tha në podcastin e tij me NDR se Universiteti i Oksfordit, i cili ndihmoi në zhvillimin e vaksinës, publikoi shumë herët pjesë të dhënash që ishin shumë të vogla, nga të cilat u nxorën përfundime të nxituara. Vaksinat ekzistuese janë jashtëzakonisht të mira. “Gjithmonë mund të gjesh ndonjë mizë në gotë, dhe disa njerëz e shikojnë atë me një lupë – nuk duhet vepruar kështu.”/DW

 

Fraksion.com