AktualitetPolitikëTë fundit

“Sa e madhe qenka kjo çorbë vallë?”; Rama: Drejtësia të zbardhë privatizimin e kompleksit “Partizani”

Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me publikimin e fakteve të reja ku tregohet se si ish-kryeministri Sali Berisha privatizoi qendrën më të madhe sportive në kryeqytet, kompleksin “Partizani” për familjen e tij.

Në reagimin e tij, Rama shpreh besimin që institucionet e reja të drejtësisë, të cilat sipas tij kanë nisur të ndezin dritën e shpresës pas 100 vjetësh padrejtësi, do ta zbardhin deri në fund këtë histori.

Kreu i Ekzekutivit e cilëson këtë një histori të hatashme keqbërjeje ndaj shtetit, pronës dhe shoqërisë.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë dokumentar investigativ tejet interesant të Report TV, duke ngritur pyetjen se sa e madhe qenka kjo çorbë vallë përderisa kjo është vetëm njëra nga tre seritë e dokumentarit, si edhe duke shpresuar se institucionet e reja të drejtësisë, të cilat kanë nisur të ndezin dritën e shpresës tek drejtësia në këtë vend pas 100 vjetësh padrejtësi, do ta zbardhin deri në fund nën dritën e ligjit një histori kaq të hatashme keqbërjeje ndaj shtetit, pronës, shoqërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, shpreh Rama.

Report Tv publikoi disa fakte ku theksohet ndër të tjera se si, “qeveria e Sali Berishës privatizoi kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi”.

“Dy muaj pas marrjes së detyrës, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu filloi procedurat e privatizimit të qendrës më të madhe sportive me përmasa 26.000 metra katrorë, që në fund u pagua vetëm 14.000 euro. Në këtë sipërfaqe janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla që vlejnë 4.000 herë më shumë, raporton Report TV, nga të cilat Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve”.

 

Fraksion.com