AktualitetBota+Të fundit

Britania propozon armëpushim në zonat e konfliktit për të lejuar vaksinimin

Britania e Madhe pritet të kërkojë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për të ndihmuar në negocimin e armëpushimeve të përkohshme në zonat e konfliktit, në mënyrë që njerëzit atje të vaksinohen kundër koronavirusit.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, do të kryesojë të mërkurën një takim virtual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar rezolutën dhe kërcënimin me të cilin përballen mbi 160 milionë njerëz që jetojnë në zona të paqëndrueshme dhe të konfliktit, të tilla si Jemeni, Sudani i Jugut, Somalia dhe Etiopia.

“Vaksinimi global është thelbësor për të mposhtur koronavirusin”, tha Raab përmes një deklarate.

“E kemi detyrë morale për të vepruar dhe domosdoshmëri strategjike për t’u bashkuar në mposhtjen e këtij virusi”, shtoi ai.

Britania është një nga vendet më të suksesshme në botë sa i përket vaksinimit kundër koronavirusit.

Derisa programet e imunizimit vazhdojnë gjetkë, pandemia duket se ka filluar një tërheqje të ngadaltë në disa pjesë të botës.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i rasteve të reja të raportuara më 16 shkurt ishte më i ulëti që nga fundi i tetorit, ndërsa në Spanjë, niveli i infeksionit dyjavor ka rënë në rreth një të tretën e asaj që ishte në fund të janarit.

Koronavirusi ka prekur mbi 109 milionë njerëz në të gjithë botën.  Prej tyre, mbi 2.4 milionë kanë vdekur dhe mbi 61 milionë janë shëruar.

 

Fraksion.com