Administrata Biden synon të rrisë numrin e refugjatëve në SHBA
Presidenti Joe Biden ndryshoi politikat kufizuese të imigracionit të zbatuara nga administrata Trump duke premtuar që Shtetet e Bashkuara të mirëpresin më shumë refugjatë e duke rritur në këtë mënyrë shpresat për disa nga njerëzit më të dëshpëruar në botë. Por siç mësojmë nga korrespondentja e Zërit të Amerikës Aline Barros, ekspertët thonë se do të duhet kohë për të rifilluar programin amerikan të strehimit të refugjatëve.
Në një agjenci biletash në Najrobi të Kenias, Abdirizak Noor Ibrahim ndjek zhvillimet në Amerikë.
Lindur në Somali, Ibrahimi u largua nga Mogadishu i shkatërruar nga lufta në vitin 2004 duke u bërë kështu refugjat. Ai dhe familja e tij ishin miratuar për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit 2017, kur Donald Trumpi u bë president dhe nënshkroi urdhërin ekzekutiv që kufizonte udhëtimet nga disa vende me shumicë myslimane – përfshirë Somalinë.
Kisha bërë të gjitha intervistat, kontrollin shëndetësor dhe gjithçka tjetër. Më pas ish-presidenti vendosi ndalimin e udhëtimit. Kam qenë këtu katër vitet e fundit. Edhe para kësaj, kam qenë këtu për më shumë se 10 vjet, duke shpresuar se do të zhvendosem në Shtetet e Bashkuara”, thotë për Zërin e Amerikës refugjati somalez Abdirizak Noor Ibrahimi.
Zoti Ibrahimi vlerëson heqjen e kufizimeve të udhëtimit nga Presidenti Biden dhe zgjerimin e programit për pranimin e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara.
“Kam shumë shpresë se gjërat do të ndryshojnë për ne”, thotë Abdirizak Noor Ibrahimi.
Duke filluar nga tetori, Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin deri në 125,000 refugjatë në vit, nga një kufi prej 15,000 refugjatësh që ishte në fund të administratës Trump.
“Do të duhet kohë për të rindërtuar atë sistem që është dëmtuar kaq shumë”, tha Presidenti Biden.
Por disa ekspertë shohin sfida përpara, veçanërisht në kohë pandemie.
“Do të ketë një numër sfidash, përfshirë nivelin e financimit, atë të personelit, thjesht fillimi dhe vazhdimi i këtyre procedurave. Por padyshim sfida më e madhe ose një nga sfidat më të mëdha për momentin për ta rikthyer atë program në nivelet e fuqishme që do të dëshironte të shihte administrata amerikane është pandemia COVID”, thotë për Zërin e Amerikës Christopher Boian, me zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.
Megjithatë, organizatat për strehimin e refugjatëve shpresojnë të jenë përsëri të ngarkuara me punë.
“Me të vërtetë presim që puna të rikthehet … Po planifikojmë me disa nga partnerët tanë ekzistues të hapim zyra shtesë”, thotë për Zërin e Amerikës Alicia Wrenn, drejtore për strehimin dhe integrimin e refugjatëve me organizatën jofitimprurëse HIAS.
Por mbështetësit e politikave të ish-presidentit Trump kanë rezerva, duke thënë se verifikimi më rigoroz ndihmon të sigurohemi që refugjatët e zhvendosur nuk paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara.
“Pati një rishikim të programit të vetingut në fillim të administratës Trump dhe kjo duhet të bëhet herë pas here. Pra, nuk duhet të hidhet poshtë vetëm se ka bashkangjitur emrin e Trumpit”, thotë Lora Ries, hulumtuese në Fondacionin Heritage.
Mbështetësit e refugjatëve thonë se shqetësimet për sigurinë janë të ekzagjeruara.
“Ekziston ky pretendim, i cili nuk është i vërtetë, se refugjatët janë potencialisht kriminelë apo terroristë. E vërteta është se një refugjat ka më pak të ngjarë të kryejë ndonjë krim sesa një amerikan i lindur në vend”, thotë për Zërin e Amerikës Krish O’Mara Vignarajah, drejtore ekzekutive e shoqatës Shërrbimet Luterane për Refugjatët dhe Imigracionin.
Në Nairobi, Ibrahimi shpreson që ëndrra e tij të realizohet sa më shpejt.
“Do të doja të shkoja dhe të vendosesha në një vend tjetër për ta lënë pas këtë jetë të pasigurtë që kam jetuar këtu për kaq shumë vite dhe për të patur një jetë më të mirë”, thotë Abdirizak Noor Ibrahimi për Zërin e Amerikës.
Fraksion.com