“Në Europë është bërë nami”; Rama sot në Shkodër ku nis vaksinimi antikovid në Shtëpinë e të Moshuarve
Në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër nisi sot vaksinimi antikovid.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin sot në azilin e Shkodrës, një ndër strukturat e transformuara në sajë të investimeve të qeverisë, ku ofrohen kushtet më të mira dhe sot nisi vaksinimi i 45 të moshuarve.
“Nis vaksinimi antikovid për të moshuarit në pikat më të dobëta të vijës së mbrojtjes, që janë Shtëpitë e të Moshuarve, aty ku Armiku i Padukshëm ka goditur pa mëshirë në të gjitha shtetet”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi punën që është kryer në Shtëpitë e të Moshuarve gjatë periudhës së pandemisë, ndërkohë që theksoi se “në Europë është bërë nami”.
“Është realisht fat dhe arritje e madhe që ne nuk kemi pasur goditje në shtëpitë e të moshuarve se në Europë është bërë nami. Kjo e lidhur me sakrificat e mëdha të gjitha stafeve që kanë izoluar veten bashkë me të moshuarit dhe kanë shmangur zinxhirin e infeksionit”, tha Rama.
Ndërkohë ministrja Manastirliu tha se “ne i kemi mbajtur stafet e mbyllura”. “Në fillimet e pandemisë të gjithë stafet e kujdestarëve ishin të izoluara dhe bënë një sakrificë shumë të madhe. Tani jemi në kuadër të vaksinimit të kombinuar dhe do të bëjmë vaksinat për gjithë të moshuarit”, tha ministrja.
Ajo u ndal te transformimi që është bërë në Shtëpitë e të Moshuarve, të cilat kanë tani standarde dhe kushte shumë të mira.
“Ne e kemi pasur merak këtë punë. Kushtet në Shtëpitë e të moshuarve kanë ndryshuar rrënjësisht. Ne kemi vendosur bonus 500 mijë lekë mbi pagën për punonjësit”, tha ministrja.
Fraksion.com