A nënkupton zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës edhe gjashtë muaj tjerë për zgjedhjen e presidentit të ri?
Ekspertët e së drejtës kushtetuese kanë mendime të ndryshme lidhur me çështjen nëse me marrjen e detyrës së presidentit të Kosovës nga ana e kryetarit të ri të zgjedhur të Kuvendit, Kosova fiton edhe gjashtë muaj për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 shkurt, Kosova është përballë procesit të formimit të institucioneve të reja qeveritare. Procedura për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përshkruhet qartë me Kushtetutë, si dhe zgjedhja e Qeverisë së re. Megjithatë, pozita aktuale e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës nuk është saktësuar qartë me Kushtetutë.
Kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dorëheqjen për shkak të akuzave për krime lufte nga Prokuroria Speciale e Kosovës në Hagë më 5 nëntor 2020, ushtrimin e detyrës së presidentit e mori Vjosa Osmani, e cila atëherë ishte kryetare e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës, ajo mund të jetë ushtruese e detyrës së presidentit më së shumti gjashtë muaj deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Ish-gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesor Kadri Kryeziu, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thotë se kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit duhet të marrë detyrën e presidentit të Kosovës dhe kjo do t’i japë atij edhe gjashtë muaj tjerë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.
Ai thekson se Vjosa Osmani mund të ishte ushtruese e detyrës presidente e Kosovës deri më 5 maj, nëse Kosova nuk do të kishte shkuar në zgjedhjet parlamentare.
“Kryetari i zgjedhur i Kuvendit me automatizëm bëhet ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës, sepse nuk kemi president. Ushtruesi i detyrës së presidentit thërret partinë e parë që të emërojë mandatarin për përbërjen e Qeverisë së re. Mandatari duhet të marrë 61 vota në Kuvend për të udhëhequr Qeverinë. Më pas gjatë gjashtë muajve të ardhshëm zgjidhet presidenti”, theksoi Kryeziu.
“Përgatitjet për zgjedhjen e presidentit duhet të bëhen deri më 5 prill”
Nga ana tjetër, profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thekson se nuk saktësohet në Kushtetutë nëse me marrjen e detyrës së presidentit të Kosovës nga ana e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit do t’i jepte atij edhe gjashtë muaj të tjerë për të kryer atë detyrë.
Ai konsideron se konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, duhet të përfundojnë brenda afatit që ka Vjosa Osmani për kryerjen e detyrave të presidentes, e që skadon më 5 maj të këtij viti.
Sipas tij, Osmani mund të kryejë të gjitha detyrat që ka presidenti i vendit dhe të emërojë mandatar nga partia udhëheqëse në mënyrë që të formohet Qeveria e re, ndërsa pastaj sa më parë duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës “në mënyrë që të mos humben afatet kohore dhe vendi të hyjë në një krizë të re e cila mund të përfundojë me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare”.
Profesori universitar Baraliu sqaron se pas konfirmimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sa më parë duhet të thirret seanca e parë konstituive e Kuvendit në të cilin konfirmohen mandatet e deputetëve.
“Pastaj zgjidhen grupet parlamentare, kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit. Pastaj vjen në radhë çështja e mandatarit që është nga partia ose koalicioni dhe mendoj se kjo nuk ka nevojë të shtyhet, sepse nuk kemi kohë, më saktësisht jemi në presion me kohën, sepse përgatitjet për zgjedhjen e presidentit duhet të bëhen deri më 5 prill, ndërsa më 5 ose 6 maj në detyrë duhet të jetë presidenti i ri, gjegjësisht presidentja”, tha Baraliu.
“Nuk ekziston pengesë që Albin Kurti të zgjidhet kryeministër”
Ndërkohë, profesori Kryeziu thekson se nuk ekziston kurrfarë pengese që kryetari i partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti të zgjidhet kryeministër, edhe pse nuk mund të ishte kandidat për deputet për shkak të aktvendimit të plotfuqishëm për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit. Ai thekson se nuk ka norma që e pengojnë atë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i referohej vetëm ndalimit të kandidimit për deputetë për personat që kanë një aktvendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit.
Sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47,85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 17,41 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tani ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13,08 për qind të votave.
Në listën zgjedhore të Vetëvendosjes ka qenë edhe Vjosa Osmani, ushtruesja aktuale e detyrës së presidentes së Kosovës. Ajo para kësaj liste ishte edhe kandidate për presidente të re të Kosovës./AA
Fraksion.com