AktualitetBota+Të fundit

Smith: Sulmi i fundit kibernetik në SHBA “më i përsosuri”

Në fund të vitit të kaluar, autoritetet amerikan njoftuan se një sulm kibernetik kishte shënjestruar institucione të rëndësishme të vendit, dhe për këtë u fajësua Rusia.

Departamenti për Siguri Kombëtare, Departamenti i Thesarit dhe ai i Tregtisë i SHBA-së ishin në mesin e të prekurve nga sulmi, raportuan atëbotë mediat, të cilat cituan zyrtarë të paidentifikuar që kishin njohuri për këtë sulm kibernetik.

Presidenti i kompanisë, Microsoft-it, Brad Smith, tha se ky ndoshta “është sulmi më i madh dhe më i përsosur kibernetik që ka ndodhur në botë ndonjëherë”.

“Ne e pyetëm veten se sa inxhinierë kanë punuar për këto sulme, pasi analizuam gjithçka që pamë në Microsoft”, tha Smith.

“Erdhëm në përfundimin se mund të kenë qenë më shumë se një mijë persona”, tha ai në programin “60 Minutes”.

Rusia ka mohuar çdo përfshirje në këtë sulm kibernetik. Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë thënë se duhen muaj për të identifikuar të gjitha sistemet që janë prekur nga sulmi i hakerëve.

Në fund të muajit dhjetor, Microsoft tha se edhe sistemet e saj ishin sulmuar, por shtoi se siguria e shërbimeve të saj nuk ishte cenuar.

Microsoft pati thënë se sulmi është kryer nga një “aktor i përsosur shtetëror” dhe tha se kompanitë dhe bizneset e prekura ishin në disa vende të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Meksikën, Belgjikën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden e ka quajtur sulmin kibernetik një “shqetësim të madh”./rel

 

Fraksion.com