Franca do të shpërbëjë grupin e ekstremit të djathtë kundër migrantëve
Franca ka paralajmëruar për shpërbërje Generation Identitaire (Identiteti i Gjeneratës), një grup i ekstremit të djathtë që shpalli “luftë ndaj migrantëve” në vend.
Sipas raporteve në media, Ministria e Brendshme paralajmëroi grupin për shpërbërje dhe mund të mbyllet nëse nuk përgjigjet brenda 10 ditësh.
Grupi në fjalë është i njohur për qëndrimin e tij diskriminues ndaj të huajve dhe muslimanëve. Më 19 janar, rreth 30 anëtarë të grupit njoftuan se kanë filluar një operacion kundër migrantëve në Pirenej dhe do të kryejnë “patrulla kufitare” për të parandaluar hyrjen e migrantëve në Francë.
Si kundërpërgjigje, prokurori publik në qytetin Saint-Gaudens nisi një hetim, duke akuzuar grupin për nxitje të njerëzve për urrejtje dhe armiqësi.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha se deklaratat e grupit që synonin migrantët ishin “skandaloze” dhe shpërbërja e tij tani do të jetë në axhendën e qeverisë.
Grupi, i cili u themelua në vitin 2012, është distancuar nga grupet neo-naziste të orientuara nga dhuna, por ka mbetur prej kohësh një burim shqetësimi për agjencitë e sigurisë, pasi anëtarët kryesorë të tij kanë përhapur ide supremaciste të bardha dhe teori konspirative anti-muslimane dhe raciste të tilla si “Zëvendësimi i Madh”./AA
Fraksion.com