BE pret nga autoritetet e reja që të vazhdojnë dialogun
Bashkimi Evropian po vëzhgon ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë dhe shpreson në krijimin e shpejtë të institucioneve. Por edhe vazhdimin e dialogut.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Olivér Várhelyi shpresojnë se Kosova do të krijojë së shpejti qeverinë e re dhe do të zgjedhë një president të ri, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në kumtesën e lëshuar së bashku nga Borrelli dhe Várhelyi thuhet se BE ka dërguar në këto zgjedhje një mision të ekspertëve për zgjedhje, i cili do të mbetet në Kosovë dhe do të ndjekë të gjitha procedurat pas zgjedhjeve. Në fund misioni i BE do të hartojë edhe një raport lidhur me ecurinë dhe do të japë rekomandimet e veta.
BE shpreson vazhdimin e dialogut
Në kumtesë thuhet se BE do të vazhdojë të angazhohet së bashku me autoritetet, me qëllim që të mbështesë Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj evropiane. “Kjo nënkupton përparimin e Kosovës në reforma, realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës Evropiane për Reforma, si dhe si për bashkëpunimin rajonal”, thuhet në kumtesë.
Borrel dhe Várhelyi pohojnë se “rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe BE”, ndërsa nga autoritetet e reja në Prishtinë presin që “të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga BE” dhe “të shfrytëzimit të kësaj mundësie për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”./dw
Fraksion.com