Senati shpall të pafajshëm ish-Presidentin Trump
Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm.
Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit.
Është hera e dytë në 12 muaj që zoti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat kundër tij. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik.
Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe pala mbrojtëse paraqitën të shtunën pasdite argumentet e tyre përmbyllëse pro dhe kundër.
ARGUMENTET PËRMBYLLËSE
Në argumentet përmbyllëse, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan senatorëve që ta shpallin zotin Trump përgjegjës lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit.
Prokurori kryesor demokrat, ligjvënësi Jamie Raskin, tha se turma e 6 janarit veproi sipas udhëzimeve të zoti Trump dhe me miratimin e tij, duke shtuar se ish-presidenti dështoi të mbrojë ligjvënësit apo ish-nënpresidentin e zgjedhur nga ai vetë.
“Nëse kjo nuk përbën një bazë për fajësim, nëse ky nuk është një krim i rëndë dhe si dhe një akt i paligjshëm kundër republikës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë asgjë tjetër nuk mund të jetë. Presidenti Trump duhet të dënohet për të garantuar sigurinë e demokracisë dhe popullit tonë”, tha ai.
Avokatët e zotit Trump, kanë argumentuar se gjyqi nuk duhej të ishte mbajtur, sepse zoti Trump nuk ishte më në detyrë dhe thanë se komentet e tij në fjalimin që i parapriu trazirave ishin të mbrojtura nga amentamenti i parë i Kushtetutës.
Michael van der Veen, një nga avokatët e zotit Trump, tha se ndaj klientit të tij nuk po zhvillohej një proces i rregullt dhe se zoti Trump nuk kishte nxitur dhunë.
“Pavarësisht se po shohim pamje me të vërtetë të tmerrshme lidhur me sjelljen e protestuesve kjo nuk ndryshon faktin që zoti Trump është i pafajshëm për akuzat kundër tij”, tha ai. “Akti i nxitjes nuk ka ndodhur kurrë”.
Demokratët kanë hedhur poshtë ato argumente, duke përfshirë dhe pohimin se ndaj ish-presidenti nuk u zhvillua një proces i rregullt ligjor.
ÇËSHTJA E DËSHMITARËVE
Përpara kësaj, Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse.
Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyq.
Përplasjet e minutës së fundit për dëshmitarët ishin pasojë e komenteve të bëra të premten në mbrëmje nga një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy, që demokratët thonë se është dëshmia e indiferencën së zotit Trump ndaj dhunës në Kapitol.
Fillimisht në Senat po diskutohej nëse duhej të thirrej për të dëshmuar ligjvënësja Jaime Herrera Beutler, një nga 10 republikanët që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë të premten vonë ajo tha se zoti Trump kishte kundërshtuar një lutje të zotit McCarthy për t’i ndalur protestuesit. Demokratët e konsiderojnë atë një provë kyçe që konfirmon se presidenti ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.
Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes dhe madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm.
Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.
Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.
Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë “guximi” menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.
Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.
“Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë”, u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e tij.?VOA
Fraksion.com