Punimet tek sheshi “Shqiponja”; Policia: Ja si mund të hyni në Tiranë…
Policia e Tiranës për shkak të punimeve tek sheshi “Shqiponja” ka udhëzuar drejtuesit e automjeteve të cilët duan të hyjnë në Tiranë.
Ata që vijnë nga jugu i Shqipërisë të përdorin si rrugë alternative drejt kryeqytetit Elbasanin, qytetarët që udhëtojnë nga veriu i Shqipërisë drejt kryeqytetit, duhet të zgjedhin si rrugë alternative Paskuqanin nëpërmjet urës së re dhe Bulevardit të ri Zogu i parë, ndërsa qytetarët që udhëtojnë drejt kryeqytetit nga Kavaja dhe Durrësi, duhet të zgjedhin si rrugë alternative rrugën interurbane dytësore Durrës-Tiranë dhe anasjelltas përmes Ndroqit.
“Nisur nga zgjerimi i hartës së punimeve tek ish-sheshi “Shqiponja”, dhe përgjatë unazës së re, punime të cilat po zhvillohen njëkohësisht në të tre lotet e projektit të ri si nën nivelin e rrugës, ashtu edhe në rrugë, kanë rritur ndjeshëm ngarkesën e trafikut në të gjitha rrugët që të çojnë drejt ish-sheshit “Shqiponja” si në hyrje, ashtu edhe në dalje të kryeqytetit, duke vështirësuar shumë trafikun në tërësi dhe veçanërisht mjetet e emergjencave mjekësore”, njofton Policia.
“Me qëllim lehtësimin e lëvizjes për të gjithë përdoruesit e rrugës, në raport me hapësirën dhe infrastrukturën rrugore në zonën e kantierit të ndërtimit, e cila ditë pas dite, ngushtohet për shkak të punimeve dhe mjeteve të punës, policia rrugore e kryeqytetit, njofton se në ditët me ngarkesën me të madhe të trafikut, si ditën e hënë, ditën e premte dhe ditën e shtunë, qytetarët që udhëtojnë nga jugu i Shqipërisë duhet të zgjedhin si rrugë alternative drejt kryeqytetit Elbasanin, qytetarët që udhëtojnë nga veriu i Shqipërisë drejt kryeqytetit, duhet të zgjedhin si rrugë alternative Paskuqanin nëpërmjet urës së re dhe Bulevardit të ri Zogu I, ndërsa qytetarët që udhëtojnë drejt kryeqytetit nga Kavaja dhe Durrësi, duhet të zgjedhin si rrugë alternative rrugën interurbane dytësore Durrës-Tiranë dhe anasjelltas përmes Ndroqit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
“Rrugorët e kryeqytetit do informojnë në vazhdimësi për vështirësitë dhe rrugët alternative që sugjerohen si dhe apelojnë më shumë kujdes dhe durim në trafik me qëllim shmangien e sjelljeve agresive që mund të jenë burim për aksidente rrugore, si dhe të respektohet detyrimi për t’u dhënë përparësi mjeteve të emergjencave mjekësore”, mbyllet njoftimi.
Fraksion.com