Mellburni futet në izolim të ri, ndalohen turmat në Australian Open
Shteti australian i Viktorias do të futet në izolim, për herë të tretë, për të shtypur një shpërthim të llojit britanik të koronavirusit, që besohet të ketë hyrë në komunitet nga një hotel karantinë.
Zyrtarët, deri më tani, kanë gjetur 13 raste që vijnë nga një punëtor, i cili pa dijeni është infektuar në një hotel në Mellburn.
Izolimi nis nga sot në mesnatë, sipas kohës lokale, dhe zgjat deri të mërkurën.
Qeveria tha se turneu Australian Open i tenisit do të vazhdojë në kryeqytetin e shtetit, Mellburn.
Por, spektatorët do të ndalohen të marrin pjesë në ngjarjen, e cila më parë ka tërhequr deri në 30,000 njerëz në ditë.
Kryeministri i Viktorias, Daniel Andrews, tha se shpërthimi aktual i koronavirusit nuk është i lidhur me hotelet karantinë që përdorin lojtarët e tenisit.
Ai tha se varianti britanik i koronavirusit përhapet më shpejt dhe më lehtë, por shprehu bindjen se izolimi do të bëjë punë.
Para këtij shpërthimi, Viktoria nuk ka pasur infeksione lokale për 28 ditë.
Vitin e kaluar, në dimrin e Australisë, vendasit e Mellburnit kanë duruar një nga izolimet më të gjata dhe më të rrepta në botë, për të luftuar valën e dytë të koronavirusit.
Kjo valë ka shkaktuar më shumë se 90% të 29,000 rasteve me koronavirus në Australi dhe 909 vdekje.
Fraksion.com