AktualitetBota+Të fundit

Gjyqi ndaj ish-presidentit: Pas argumenteve të demokratëve, reagojnë senatorët

Senatorët mbeten të ndarë në pikëpamjet e tyre rreth gjykimit të ish-Presidentit Donald Trump lidhur me sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol.

Prokurorët demokratë përshkruan me fraza të forta, me përshkrime personale ngjarjet e 6 janarit, duke i shoqëruar me klipe nga komentet e presidentit drejtuar protestuesve.

Në mbyllje të seancës së të enjtes, pasi dolën nga salla, disa senatorë iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të agjencisë së lajmeve Associated Press:

Senatori republikan Josh Hawley tha se nuk kishte asgjë të veçantë në argumentet e ofruara nga demokratët, të enjten në gjyqin ndaj ish-presidentit Trump në Senat.

“Mendoj se argumentet ishin përsëritëse dhe nuk pati një analizë ligjore,” tha senatori republikan.

Ndërsa, senatori demokrat Richard Blumenthal pati një vlerësim të kundërt për këtë.

“Pati argumente shumë të fuqishme. Nëse kolegët e mi dëgjojnë ndërgjegjen e tyre dhe ngrihen në këtë moment, ata do ta shpallin atë (ish-presidentin Trump) fajtor. Unë vërtetë besoj se nëse votimi do të ishte i fshehtë, ai do të rezultonte në një vendim për ta shpallur fajtor dhe unë mendoj se faktet dhe ligji u demonstruan në mënyrë të fortë”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal.

“Ata treguan sot se kishte një mungesë totale pendese ose keqardhjeje (nga ana e ish-presidentit), në fakt, duke u kënaqur me dhunën që ishte aq flagrante dhe e qartë dhe se mungesa e pendimit tregoi vetëdashje dhe qëllim që unë mendoj se është kriminale dhe ngrihet në nivelin e fajësisë”, shtoi ai.

“Mendoj se ligjvënësit që vepruan si prokurorë bënë një punë të mrekullueshme. Ata jo vetëm prezantuan argumente bindëse para senatorëve republikanë, por edhe para popullit amerikan. Na bënë pjesë të historisë për të regjistruar atë që bëri Donald Trumpi për të përmbysur Kushtetutën,” tha senatorja demokrate Elizabeth Warren lidhur me përshtypjet e saj për seancën.

Senatorja demokrate nga Minesota Tina Smith u pyet nga një gazetar nëse po mendon për veprime të tjera që mund të ndërmarrin senatorët për të ndëshkuar ish-presidentin në qoftë se ai lirohet nga akuzat në Senat.

“Ta marrim gradualisht. Ligjvënësit kanë paraqitur fakte dhe shpjegime shumë, shumë të forta për të mbështetur argumentin që ish-Presidenti Trump duhet të shpallet fajtor. Aty jam përqëndruar për momentin”.

Zonja Smith më pas u pyet për videot e transmetuara në sallë nga ngjarjet e dhunshme të 6 janarit.

“M’u mbushën sytë me lot. Më kujtohet si e përjetova vetë. Por pashë edhe si e kishin përjetuar të tjerët, kuptova përvojën e policëve të Kapitolit. Ato që kaluan ishin tronditëse. Kur mendon që dhuna vazhdoi për orë të tëra, ndërkohë që ne ishim strehuar në një vend të sigurtë… të gjitha këto ishin pamje shumë të rëndaa, e kisha të vështirë kur i pashë,” tha senatorja.

Gazetarët e pyetën zonjën Smith nëse senatorët republikanë që ende ishin të lëkundur tani do të jenë bindur të votojnë për ta shpallur ish-presidentin fajtor.

“Nuk di ç’të them. Tani ata duhet të gjykojnë se çfarë kanë në zemër dhe të vendosin se cili është veprimi i drejtë. Shpresoj se do të ndërmarrin veprimin e duhur”.

Pasi ligjvënësit demokratë përmbyllën argumentet në mbështetje të akuzës për nxitje dhune, tani ekipi mbrojtjes i ish-Presidentit Trump përgatitet të paraqesë argumentet e tij.

Megjithëse senatorë republikanë janë shprehur të impresionuar nga puna e ligjvënësve demokratë në paraqitjen e argumenteve të tyre, nuk duket se ekziston numri i nevojshëm i votave për ta shpallur zotin Trump fajtor./VOA

 

Fraksion.com