AktualitetKosovaNATO/BETë fundit

NATO: Hapen rrugë të reja në hapësirën e ultë ajrore të Kosovës

NATO-ja tha të enjten se janë krijuar rrugë të reja ajrore në pjesën jugperëndimore të hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, të cilat vlerësohen si shumë të rëndësishme për procesin e normalizimit të hapësirës së ultë ajrore të Kosovës.

“Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e dukshëm të trafikut ajror civil drejt aeroportit të Prishtinës dhe anasjelltas, me përfitime të shumta duke përfshirë këtu udhëtime më të shpejta, shpenzime më të vogla të karburanteve dhe ndotje më të vogël të mjedisit”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

NATO-ja ka mbështetur procesin e normalizimit të përdorimit të hapësirës ajrore mbi Kosovën që nga viti 1999. Në vitin 2014 me ndërmjetësimin e NATO-s hapësira e sipërme ajrore e Kosovës u rihap duke lejuar fluturimet komerciale mbi Kosovë, për herë të parë pas 15 vjetësh.

Ndërkaq viteve të fundit, thuhet në njoftim, NATO-ja përmes takimeve për normalizim të aviacionit në Ballkan ka lehtësuar zyrtarizimin e një marrëveshjeje midis KFOR-it dhe Islandës. Agjencia e Sigurisë së Transportit të Islandës (ICETRA) tani vepron si një Funksion i Mbikëqyrjes së Sigurisë në mbështetje të Komandantit të KFOR-it, i cili mban autoritetin kryesor për përdorimin e hapësirës ajrore mbi Kosovën.

“Përmes kontributit të Agjencisë Islandeze të Sigurisë së Transportit, janë nënshkruar gjithashtu marrëveshjet teknike ndërmjet Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror Shqiptar (Albcontrol) dhe Ofruesit të Shërbimit të Navigacionit Ajror në Prishtinë (ASHNA), për krijimin e linjave të reja të drejtpërdrejta për në Prishtinë përmes Shqipërisë. Kjo mundëson rrugë më të shkurtra për linjat ajrore që vijnë nga veriu, me përfitime në kohë dhe kursim të karburantit e po ashtu ndotje më të ulët të ajrit”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

NATO-ja mori nën kontroll hapësirën ajrore të Kosovës me përfundimin e luftës së cilës ju dha fund me ndërhyrjen e trupave të aleancës. Aktualisht komandanti i KFOR-it, Franco Federici, i cili mori këtë detyrë në nëntor të vitit të kaluar, kryen shqyrtimin e të gjitha zgjidhjeve teknike që lejojnë krijimin e rrugëve të reja të drejtpërdrejta, në hapësirën e ulët ajrore, midis Prishtinës dhe qyteteve të tjera.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, e cila është njohur nga mbi 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është angazhuar në një proces normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën, meqë kjo është kusht për integrimet evropiane.

Linjat ajrore civile tani mund të përdorin linja të reja ajrore jug-perëndimore në hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën. Kjo është një arritje e rëndësishme në normalizimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovën, e cila është kryer me mbështetje përmes procesit të NATO-s për Normalizimin e Aviacionit në Ballkan. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e ndjeshëm të trafikut ajror civil drejt dhe nga aeroporti i Prishtinës, me përfitime të shumta duke përfshirë udhëtime më të shpejta, konsum më të ulët të karburantit dhe ndotje të zvogëluar.

 

Fraksion.com