AktualitetBota+Të fundit

Gratë në shkencë: Rastet kur meritat iu “vodhën” burrat

Kombet e Bashkuara (KB) do të shënojnë këtë vit Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë me debate dhe diskutime për rolin e grave në luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Sipas KB-së, shpërthimi i pandemisë së COVID-19 ka shpërfaqur rolin e rëndësishëm të grave studiuese në faza të ndryshme të luftës kundër kësaj sëmundjeje.

Ato kanë kontribuuar në përparimin e njohurive mbi virusin, pastaj zhvillimin e teknikave të testimit e deri te zbulimi i një vaksine kundër koronavirusit.

Por, krahas kësaj, pandemia ka pasur edhe ndikim negativ te gratë dhe vajzat që merren me shkencë. Ndikimi i saj është vërejtur në fazat e hershme të karrierës së grave, duke kontribuuar kështu në zgjerimin e hendekut gjinor në fushën e shkencës.

Kombet e Bashkuara thonë se kjo duhet të adresohet gjatë procesit të përgatitjes së politikave dhe mekanizmave të rinj në mënyrë që të mbështeten gratë në shkencë.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë shënohet çdo vit më 11 shkurt, pasi kështu ka vendosur në vitin 2015 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Përmes shënimit të kësaj dite synohet rritja e ndërgjegjësimit dhe për t’ia kujtuar bashkësisë ndërkombëtare se, shkenca dhe barazia gjinore duhet të përparojnë bashkërisht.

Kombet e Bashkuara thonë se shkenca dhe barazia gjinore janë thelbësore për të arritur qëllimet që përfshihen në kuadër të Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, për të cilën ka një pajtim ndërkombëtar.

Gjatë 15 vjetëve të fundit komuniteti ndërkombëtar ka bërë shumë përpjekje për të frymëzuar dhe ndihmuar në angazhimin e grave dhe vajzave në shkencë. Megjithatë, ato vazhdojnë të përjashtohen nga pjesëmarrarja në shkencë.

Aktualisht, më pak se 30 për qind e shkencëtarve në të gjithë botën janë gra.

Sipas të dhënave të UNESCO-s (2014 – 2016), vetëm rreth 30 për qind e të gjitha studenteve femra zgjedhin për studim fushat e lidhura me shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Në nivel botëror, vetëm 3 për qind e grave regjistrohen si studente në fushën e teknologjisë informative. Në shenca natyrore, matematikë dhe statistikë kjo shifër është 5 për qind, ndërsa në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim 8 për qind. Paragjykimet dhe stereotipet gjinore po i largojnë vajzat dhe gratë nga fushat e lidhura me shkencën.

T’i kthehemi kontributit të grave në pandemi.

Ozlem Tureci është shefe mjekësore në kompaninë BioNTech. Ajo ka udhëhequr punimet për vaksinën e parë të miratuar kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe vendet tjera. Ajo ka thënë se vendimi i kompanisë së saj për të zhvendosur fokusin e punimeve, nga kërkimet për kancer, në luftim të koronavirusit, është marrë përgjatë një mëngjesi, kur janë vërejtur shenjat e para se ky virus mund të kthehet në pandemi, transmeton agjencia e lajmeve, AP.

Tureci dhe burri i saj Sahin qëndrojnë mbrapa qasjes së përdorur për zhvillim të vaksinës që bazohet në teknologji mRNA – që nënkupton përpunimin e kodit gjenetik të virusit. Vaksina është zbukuar në bashkëpunimin me kompaninë Pfizer.

Derisa kontributi i saj në zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit njihet botërisht, përgjatë historisë, shumë gra shkencëtare nuk e kanë pasur këtë mundësi.

Ju sjellim pesë raste në histori kur kontributi i grave në shkencë u është “vjedhur” nga ana e burrave.

Jean Purdy (1945–1985) – infermiere dhe embriologjiste britanike. Ajo ishte një figurë kyçe për zbulimin e fekondimit artificial – IVF. Bashkë me të, në këtë metodë, punuan edhe biologu Robert Edwards dhe gjinekologu Patrick Steptoe. Purdy ishte një bashkëthemeluese e Klinikës Bourn Hall por roli i saj atje dhe në zhvillimin e IVF u injorua për tridhjetë vjet. Kur u vendos të zbulohet një pllakë në spitalet Oldham, për të njohur këtë arritje, emri i saj u injorua. Përpjekjet Edwards, për të përfshirë emrin e saj u kundërshtuan nga autoritetet lokale të shëndetit. Edwards më vonë u vlerësua me një Çmim Nobel.

Jocelyn Bell Burnell – Astrofizikantja britanike po studionte për doktoraturë kur zbuloi impulse të përsëritura të valëve të radios. Ajo për muaj me rradhë studioi të dhënat e radio astronomisë. Më pas këto impulse u njohën nga shkenca si pulsarë. Mbikëqyrësit të Burnell, Antony Hewish, iu kishin dhënë meritat e këtij zbulimi duke u vlerësuar me Çmimin Nobel në vitin 1974. Për shumë vëzhgues ky ishte një vendim i padrejtë dhe i bazuar në gjininë e saj.

Rosalind Franklin (1920 – 1958) – Jim Watson dhe Francis Crick njihen dhe vlerësohen për zbulimin e strukturës së ADN-së. Megjithatë të dhënat që zbuloi Franklin për kristalografinë (shkenca që studion përbërjen kimike dhe vetitë fizike të kristaleve) me rreze X. ishte thelbësore për të kuptuar strukturat molekulare të ADN-së (acidi deoksiribonukleik). Crick dhe Watson u vlerësuan me Çmimin Nobel në vitin 1962. Pavarësisht nëse i kanë vjedhur zbulimet e saj, apo i kanë përdorur ato që kanë qenë publike, ekziston vlerësimi se nëse Franklin do të ishte gjallë, ajo duhej të ishte pjesë e Çmimit Nobel.

Lise Meitner (1878 – 1968) – ka qenë një fizikane austriako-suedeze. Më 1939 Meitner ishte pjesë e një grupi prej tre shkencëtarësh që zbuluan ndarjen bërthamore të uraniumit. Dy të tjerët ishin Otto Hahn dhe Otto Robert FrischZbulimi i tyre mundësoi zhvillimin e armëve bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në saje të këtij zbulimi u mundësua edhe furnizimi me energji elektrike nga reaktorët bërthamorë. Meitner ishte nominuar për Çmimin Nobel shumë herë, por ishte Hahn ai që mori çmimin më 1944.

Alice Ball (1892 – 1916) – Në fillim të shekullit 20-të ajo ishte pjesë e Universitetit të Havait dhe po punonte në trajtimin e lebrozës, një sëmundje që paraqiste shqetësim të madh në Havai. Ball vdiq në moshën 24 vjeçare. Një kimist tjetër më vonë përvetësoi meritat për punën e saj. Për disa dekada trajtimi i saj ishte i njohur si metoda Dean. Ball ishte gruaja e parë afrikano-amerikane që përfundoi studimet master në universitet. Ajo ishte edhe gruaja e parë që punoi si profesore e kimisë./REL

 

Fraksion.com